Manchester City dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë kanë njoftuar sot për nisjen e një shkolle futbolli të Manchester Cityt në qytetin e Durrësit, që pritet të hapet në vjeshtë të këtij viti.
Objekti i ri do të përdorë metodologjinë e stërvitjes së Manchester Cityt, për t’u ofruar lojtarëve të tyre edukim futbolli të klasit botëror.
“Me tetë shkolla futbolli të Manchester Cityt në nivel global, kjo do të jetë shkolla e fundit që do të hapet si pjesë e zgjerimit të vazhdueshëm të klubit dhe të programeve të tij bazë”, thuhej në njoftimin zyrtar të klubit anglez.
Përveç shkollës së futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, po lanson gjithashtu një akademi elite në vjeshtën e këtij viti, për të ofruar një shteg për futbollistët vendas që aspirojnë të arrijnë në nivelin më të lartë të futbollit.
Kjo akademi pritet që të ndërtohet në bashkëpunim me City Football Group, organizata mëmë e Manchester Cityt.
Jorgina Busquets, Drejtore Menaxhuese e Edukimit të Futbollit, Rekreacionit dhe Klubeve Partnere në City Football Group, është shprehur mjaft e kënaqur për hapjen e kësaj shkolle.
“Ne jemi të kënaqur të hapim një shkollë të re të futbollit në Shqipëri sot. Është oferta më e fundit si pjesë e një zgjerimi të vazhdueshëm global të programimit arsimor të klubit pasi ne synojmë të ndajmë metodologjinë, njohuritë dhe përvojën tonë të stërvitjes për të zhvilluar të rinjtë në mbarë botën”, është shprehur Busquets.
Sa i përket kësaj marrëveshjeje është deklaruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm për sportistët shqiptar.
“Hapja e shkollës së futbollit të Manchester Cityt në Durrës është një zhvillim shumë i rëndësishëm për lëvizjen sportive shqiptare në rritje në fund të një viti emocionues, i cili e solli kombëtaren tonë të futbollit në krye të grupit kualifikues për Euro 2024”, ka thënë Rama./Telegrafi/