Telegrafi

Manaj si Morata, me klauzolë të dyfishtë

Rey Manaj shihet nga Interi si një investim shumë i rëndësishëm dhe një sulmues me shumë perspektivë.

Ndaj klubi zikaltër jo vetëm është siguruar që ai të kalonte te Pescara, në një skuadër ku të mund të shprehte talentin e tij, por edhe që të mund të rimerrte përsëri lojtarin në të ardhmen.

Sipas “Rete 8”, Manaj është trajtuar si yjet e futbollit botëror, duke i vënë një klauzolë të dyfishtë blerjeje në kontratë, ashtu siç kanë bërë Juventusi dhe Real Madridi me Alvaro Moratën, shkruan Panorama Sport.

Pescara ka pranuar të marrë në huazim sulmuesin shqiptar pasi Interi ka rënë dakord që në kontratë të vihet një klauzolë blerjeje përfundimtare nga kjo skuadër.

Por Interi nuk dëshiron të heqë dorë plotësisht nga sulmuesi 19 vjeçar, ndaj ka vendosur një tjetër kundër klauzolë blerjeje, e cila kthen Manajn te zikaltrit kundrejt një pagese të caktuar.

Një veprim i ngjashëm është ai që ka kryer Real Madrid me Alvaro Moratan, të cilin e kaloi te Juventusi vetëm me një kundër klauzolë që i jepte mundësinë spanjollëve të kthenin lojtarin në bazë kundrejt pagesës së një shume të caktuar, gjë që u realizua gjatë kësaj vere.

Manaj do të mbyllë pushimet në Shqipëri gjatë kësaj jave për t’u kthyer në Itali dhe pas 8 ditësh pritet në fillimin e grumbullimit me skuadrën e Peskarës, nën urdhrat e trajnerit Masimo Odo.