E ardhmja e Marcus Rashford te Manchester United nuk është e sigurt dhe ai mund të largohet në fund të sezonit nga Old Traford.
Sulmuesi anglez nuk është se ka pasur formën më të mirë këtë edicion, ku në 40 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar vetëm tetë gola dhe ka asistuar në pesë të tjerë.
Siç ka raportuar mediumi anglez The Telegraph, Manchester United do të ishte i gatshëm të dëgjonte ofertat për sulmuesin e talentuar anglez, duke hapur kështu mundësinë e një largimi që ka ndezur interesin e gjigantëve evropianë si PSG, Tottenham dhe Bayern Munich.
Për Paris Saint-Germain, Rashford përfaqëson një opsion të kalibrit të lartë për të plotësuar vendin e lënë bosh nga Kylian Mbappe, i cili është afër përfundimit të kontratës dhe largimit si lojtar i lirë.
Bordi parisien sheh te anglezi jo vetëm një zëvendësues të përshtatshëm, por edhe një aset që do të forconte fuqinë e tyre sulmuese për garat e ardhshme.
Nga ana tjetër, Tottenham Hotspur nuk dëshiron të mbetet prapa në garën për të marrë shërbimet e sulmuesit të gjithanshëm.
Nën drejtimin e trajnerit të tij Ange Postecoglou, klubi londinez po kërkon të forcojë repartin ofensivë dhe Rashford del si një opsion tërheqës falë aftësisë së tij për të performuar si anësor në të dy krahët dhe në pozicionin e sulmuesit qendror.
Ndërkohë, Bayern Munich po ndjek me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve. Me largimin e mundshëm të Leroy Sane në horizont, skuadra bavareze e konsideron Rashfordin si një kandidat të mundshëm për të përforcuar skuadrën e tyre.
Megjithatë, vendimi përfundimtar mund të kushtëzohet nga lëvizjet në tregun e transferimeve dhe nevoja për të siguruar një zëvendësim të përshtatshëm përpara se të humbet Sane.
Me një çmim të vlerësuar prej 80 milionë euro dhe një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2028, Marcus Rashford qëndron si një nga objektivat më të lakmuar në treg dhe fati i tij premton të jetë në qendër të vëmendjes në javët në vijim. /Telegrafi/