Gjatë dy viteve të fundit, Aurelien Tchouameni është lidhur rregullisht me një largim nga Real Madridi dhe këto thashetheme kanë vazhduar edhe në javët e fundit.
Liverpooli thuhej se ishin shumë të interesuar për shërbimet e tij, teksa tashmë një tjetër klub anglez i është bashkuar garës për shërbimet e reprezentuesit francez.
Sipas një raportimi nga Football Insider, Manchester City është i etur për të siguruar nënshkrimin me Tchouamenin dhe e kanë pyetur trajnerin Pep Guardiola nëse dëshiron që të vazhdojnë përpara me transferimin e tij.
Man City ende po vuan nga lëndimi i rëndë që pësoi Rodri në shtator dhe ata tashmë kishin plane për ta blerë një zëvendësues të tij këtë muaj.
‘Qytetarët’ kanë qenë tejet të interesuar për Martin Zubimendin e Real Sociedadit, por tashmë duket se do të fokusohen tek Tchouameni.
Mbetet të shihet nëse Man City do të bëjë një lëvizje për yllin e Real Madridit, ani pse gjiganti spanjoll nuk do dëshironte që ta humbiste atë në mes të sezonit.
Mesfushori francez momentalisht po aktivizohet në qendër të mbrojtjes nga trajneri Carlo Ancelotti, kjo për shkak të mungesës së opsioneve në atë pozicion pas lëndimit të rëndë të Eder Militaos dhe me David Alaban që ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi që e ka lënë jashtë fushave për gati më shumë se një vit./Telegrafi/