Juventusi mund të humbasë Emre Canin, pasi raportet e mediave angleze sugjerojnë se mesfushori i Liverpoolit është i vendosur të bashkohet me Manchester Cityn si një agjent i lirë.
Kontrata e tanishme e 23-vjeçarit gjerman do të skadojë në fund të sezonit dhe si duket mesfushori nuk e ka ndërmend të nënshkruajë zgjatjen e saj.
Juventusi kurrë nuk e ka fshehur dëshirën e tyre për ta sjellë atë falas gjatë verës dhe madje mund të provojë një transferim të tij edhe në afatin kalimtar të janarit.
Drejtuesit e Zonjës së Vjetër thuhet se kanë angazhuar edhe mesfushorin e tyre, Sami Khedira që ta bind bashkëkombësin e tij që t’i bashkohet Juventusit.
Megjithatë, mediumi Star on Sunday raporton sot (e diel) se Emre Can është i gatshëm t’i bashkohet Manchester Cityt sapo të skadojë kontrata e tij.
Bardhezinjtë nuk kanë hequr dorë dhe shpresojnë se prania e shokut gjerman, Sami Khedira, mund të ndihmojë në transferimin e Canit në drejtim të Torinos, por futja në garë e liderit të Ligën Premier ka ndryshuar gjithë situatën.
Në këtë sezon, Can ka kontribuar me tre gola dhe dy asistime në 15 ndeshje konkurruese për Liverpoolin.
Can është lojtar i padiskutueshëm në formacionin e Jurgen Kloppit, ndërsa për të interesim ka shprehur edhe ish-skuadra e tij, Bayern Munich. /Telegrafi/