Harry Kane ka një mallkim dhe sot (14 korrik) në Berlin, kundër Spanjës, ai e ka një tjetër mundësi që ta thyejë atë. Kapiteni i Anglisë dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i ‘Tre Luanëve’ konsiderohet, përveçse një legjendë e Tottenhamit, një nga sulmuesit më të mirë në botë.
Megjithatë, pasi ka mbushur 30 vite, vitrinat e tij janë ende bosh. Një prej sulmuesve më të mirë në historinë e futbollit anglez nuk e di se çfarë do të thotë të fitosh një trofe, as me klubet ku ka luajtur dhe as me kombëtaren.
Edhe pse në Euro 2024 ai nuk ka treguar versionin e tij më të mirë si shumë nga shokët e tij të skuadrës, tre golat që Kane i ka shënuar kanë qenë thelbësor për kombëtaren angleze për të arritur në finale të turneut.
Ylli i Bayern Munichut shfaqet gjithmonë kur ekipi dhe kombëtarja kanë nevojë, por përfundimet nëpër finale nuk janë kurrë të lumtura.
Në vitin 2015 ai luajti finalen e tij të parë në ‘Carabao Cup’ me Tottenhamin, por skuadra e drejtuar asokohe nga Mauricio Pochettino humbi me rezultat 2-0 nga Chelsea e Jose Mourinhos.
Pasi e përfundoi në pozitën e dytë në Ligën Premier në sezonin 2016/2017, Kane kishte mundësinë më të madhe të karrierës së tij. Në vitin 2019, Tottenhami arriti finalen e parë të Ligës së Kampionëve në histori të klubi. Historia, për fat të keq të Harry Kane, përfundoi në të njëjtën mënyrë: 2-0 për Liverpoolin dhe një finale e dytë e humbur.
Vitit 2021 parashihej të ishte viti i Kane. Finalist i dyfishtë në Carabao Cup dhe në Euro 2020 që u luajt një vit më vonë për shkak të pandemisë COVID-19. Sërish Kane u dëshpërua, pasi ‘Tre Luanët’ humbën finalen ndaj Italisë në penallti, ndërsa humbje pësuan edhe në finale të ‘Carabao Cup’ ndaj Manchester Cityt me rezultat 1-0.
Me tërë këto dështime, Harry Kane vendosi të paketonte valixhet dhe të largohej nga ishujt britanikë. Destinacioni i tij do të ishte Bayern Munichu, në letër një ekip me të cilin do të ishte ‘më e lehtë’ të thyente ‘mallkimin’ e tij, por gjithçka ishte larg realitetit.
Në ndeshjen e parë zyrtare të Harry Kane me bavarezët në Superkupën e Gjermanisë, një hat-trick nga Dani Olmo i dha fitoren Leipzigut.
Sezoni i tij i parë në Munich, doli të jetë sezoni i parë pa tituj për Bayernin që nga sezoni 2011/2012. Bayer Leverkuseni i Xabi Alonsos bëri mrekullinë duke fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë duke vazhduar kështu ‘mallkimin’ e Kane.
Por, a do të jetësohet sot thënia se ‘ka një herë të parë për gjithçka’ dhe Kane ta fitojë më në fund një trofe që kaq shumë e ka ëndërruar? Mbetet të shihet./Telegrafi/