Telegrafi

Malishevë, gjendet i vdekur një person në trotuar – policia nis hetimet

Një person është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së premtes, në trotuar në fshatin Terpezë të Malishevës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Rreth orës 07:00 është raportuar se viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete në trotuar, afër rrugës në fshatin Terpezë-Malishevë”, ka thënë Elezaj.

Ai tutje ka bërë të ditur se vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor i QKMF-së në Malishevë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe me vendim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rast ‘hetim i vdekjes’. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka përfunduar Elezaj. /Telegrafi/