Malisheva ka vazhduar me fitore në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke triumfuar edhe në xhiron e dytë.
Malishevasit fituan si vendas ndaj Fushë Kosovës me rezultat 6-1.
Llogarinë e golave për ta e hapi Altin Aliu që realizoi në minutën e 23-të.
Mirëpo, Fushë Kosova nuk i la të gëzoheshin shumë, duke shënuar nëpërmjet Urim Statovcit (25’).
Me këto dy gola edhe përfundoi edhe pjesa e parë, derisa në të dytën Malisheva ishte e pandalshme.
Drilon Hazrollaj e riktheu epërsinë për ekipin e tij në minutën e 60-të, për 2-1.
Shtatë minuta më vonë, Hazrollaj shënoi të dytin personal dhe të tretin për Malishevën për 3-1.
Për 4-1 u përkujdes Altin Aliu, që po ashtu realizoi golin e tij të dytë personal, kur realizoi në minutën e 84-të me kokë.
Malisheva nuk u ndal me kaq dhe shënoi edhe të pestin, tani përmes Ilir Mustafës (89′).
Për ta vendosur qershinë mbi tortë dhe për ta përmbyllur një performancë magjike, Hazrollaj kompletoi het-trikun e tij për 6-1 në minutën e 90+4-të.
Malisheva me këtë fitore ngjitet në krye të tabelës me gjashtë pikë, ndërsa në javën e tretë takohet me Prishtinën. /Telegrafi/