Parlamenti i Malit të Zi sot ka ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Në seancë ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Ivan Brajoviq, uroi Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për marrëveshjen e arritur, për zgjidhjen e kontestit të emrit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai tha se të dy vendet i kanë treguar rajonit, Evropës dhe gjithë botëse se me udhëheqësi të mençur është e mundur të tejkalohen kontestet shumë vjeçare.
Ndërsa shefi i diplomacisë së Malit të Zi Srgjan Darmanoviq, në fjalimin e tij para deputetëve tha se ratifikimi i protokollit për Maqedoninë e Veriut për ta është vendim historik, pasi për herë të parë Mali i Zi ratifikon protokoll për anëtarësimin e një vendi tjetër.
Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut sot e ratifikoi edhe Kroacia, ndërsa më herët e kanë bërë Greqia, Sllovenia, Shqipëria dhe Bullgaria./Telegrafi/