Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi duhet thelluar dhe zhvilluar me forma më të larta të bashkëpunimit për ekonomi dhe tregti, thotë Mladen Peraziq, drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën malazeze të Ekonomisë.
Peraziq ka thënë se kompanitë nga Mali i Zi janë të interesuara të investojnë në Kosovë dhe të realizojnë projekte të përbashkëta. Ai ndër të tjera ka thënë se dy shtetet kanë potencial për investime, Mali i Zi për turizëm dhe Kosova në sektorë të ndryshëm.
“Bashkëpunimi me komitetin e bizneseve dhe odat ekonomike kosovare është shumë i mirë. Ato kanë një traditë të gjatë bashkëpunimi duke marrë pjesë në shumë projekte të përbashkëta, ne po bashkëpunojmë edhe në kuadër të Fondit të Ballkanit Perëndimor (WBF) është formë investimi e odave, është themeluar disa vite më parë dhe përmes asaj po realizojmë shumë projekte për interesa të përbashkëta”, thotë Peraziq.
Drejtori në Odën Ekonomike në Mal të Zi, i cili mori pjesë në konferencën rajonale në Prishtinë të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka thënë se aktivitet e tilla janë një mundësi për të prezantuar ekonomitë e dy shteteve.
“Kjo është gjithashtu një mundësi për të treguar aktivitetet tona dhe përkushtimin tonë në këtë proces, për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet komunitetit të biznesit të Malit të Zi dhe Kosovës. Dhe kjo është një mundësi e mirë për të takuar njerëz, për të prezantuar ekonomitë e shtetit tonë dhe për të ndihmuar bashkëpunimin”, theksoi ai.
Raportet e fundit tregtare me vendet e CEFTA-s, tregojnë se Kosova importoi 100 milionë euro kurse eksportoi 32 milionë.
Ndërsa, partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë Shqipëria me 14.8 për qind, Serbia me 9.2 për qind, Maqedonia e Veriut me 8.4 për qind dhe Mali i Zi me 4.4 për qind. /KP/Telegrafi/