Podgorica mirëpriti njoftimin sipas të cilit prokurorët rusë po shqyrtonin kërkesën e saj për ndihmë në investigimin e grushtit të shtetit të pretenduar të tetorit të kaluar.
Ministri malazez i Drejtësisë, Zoran Pazin, tha se Mali i Zi i kishte kërkuar Moskës të lejonte prokurorin special të shqyrtonte dy shtetas rusë të dyshuar se kanë luajtur një rol kryesor në grushtin e shtetit, që autoritetet pretendojnë se ndodhi tetorin e kaluar.
I pyetur nëse prokurori special, Milivoje Katniq, do të udhëtojë në Rusi për të marrë në pyetje Vladimir Popov dhe Eduard Shishmakov, të cilët janë të dyshuarit e organizimit të grushtit të shtetit në ditën e zgjedhjeve më 16 tetor, ministri tha se nuk kishte ardhur ende ndonjë ftesë zyrtare.
“Si ministër dhe zv.kryeministër pres këtë lloj bashkëpunimi me Rusinë. Nga ana jonë, zyra e prokurorit special ka dërguar kërkesë për ndihmë ligjore ndërkombëtare, ka kërkuar një seancë pyetjeje me Shishmakovin dhe Popovin në prani të kryeprokurorit tonë dhe partnerëve të tij”, tha Pazin.
Pazin tha se Mali i Zi ka marrë konfirmimin për vërtetësinë e pasaportave të Shimakovit dhe Popovit nga zyra e Interpolit në Moskë.
Të enjten, prokuroria ruse tha se ishte duke shqyrtuar kërkesën e Malit të Zi për asistencë në hetim.
Por Moska hodhi sërish poshtë akuzat se agjencitë ruse ushtarake dhe ato të sigurisë janë përfshirë në planin për të përmbysur qeverinë dhe për vrasjen e ish-kryeministrit Milo Gjukanoviq.
Më 16 shkurt, kryeprokurori malazez Milivoje Katniq tha se shteti rus orkestroi një përpjekje për grusht shteti më 16 tetor në Malin e Zi në përpjekje për të ndaluar vendin ballkanik të anëtarësohet në NATO.
Më 18 nëntor, Prokuroria Speciale publikoi emrat e dy rusëve – Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov – të akuzuar për organizimin e komplotit.
“Në vitin 2014, Shishmakov ishte zv. atashe ushtarak në ambasadën ruse në Poloni, por u përjashtua pas spiunazhit për Rusinë”, shpjegoi Katniq.
Agjencia ruse e lajmeve Tass raportoi të enjten se një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha në një konferencë për shtyp se pretendimet për përfshirjen ruse ishin jashtë logjikës.
Opozita malazeze që kundërshton NATO-n ka vazhduar të pretendojë se qeveria pro-perëndimore e drejtuar më parë nga Gjukanoviq e ka sajuar grushtin e shtetit për ta diskredituar atë.