Telegrafi

Malek thotë se origjina e Mercuryt i kishte ndihmuar në portretizimin e rolit të tij

Rami Malek (Foto: Frazer Harrison/Getty Images/Guliver)

Rami Malek u shpall aktori më i mirë në rol kryesor falë portretizimit të Freddie Mercuryt në filmin “Bohemian Rhapsody”.

Aktori është rritur në një familje egjiptiane, e cila ka qenë ndër gjeneratat e para që kanë migruar në Amerikë. Si i ri kishte punuar si kamerier dhe e kishte të vështirë të merrte role dhe asnjëherë nuk e kishte imagjinuar se do të arrinte një sukses kaq të madh.

Rami Malek (Foto: Frazer Harrison/Getty Images/Guliver)

“Asnjëherë në një rol kryesor nuk e kam shikuar dikë që ngjan me mua. Asnjëherë nuk e kisha menduar se mund ta luaja Freddie Mercuryn, mirëpo pastaj e kuptova se emrin e vërtetë e ka Farrokh Bulsara. Ky ishte mesazhi më i fuqishëm që më është dhënë që nga fillimi”, ka treguar Malek.

Ai ka pranuar se si i vogël nuk ishte krenar për origjinën e tij. “Si fëmijë mendoja se duhej t’i shmangesha, sepse ndihesha si i jashtëm. Me kalimin e kohës e kuptova se tradita dhe trashëgimia ime janë të bukura, dhe isha krenar me pasurinë kulturore, magjinë e muzikës, filmin dhe artin e pastër që vjen nga Lindja e Afërt”, ka shtuar aktori.

Lexo po ashtu Rami Malek shpallet aktori më i mirë në rol kryesor

37-vjeçari ka thënë se veprat e Freddie Mercuryt nuk e kanë transformuar vetëm atë, por janë frymëzim për shumë njerëz.

Rami Malek (Foto: Kevork Djansezian/Getty Images/Guliver)

“Ai njeri ka dalë në skenë dhe i ka lëvizur njerëzit në një mënyrë që askush tjetër nuk ka mundur. Kjo ka ndodhur për faktin se edhe ai ka pasur vështirësi me përfshirjen. I gjithë ai pasion që është ndezur brenda tij e ka lejuar që t’i shikojë të tjerët dhe të thotë: ‘Hej, të shoh’. Nuk duhet që të gjithë të jemi nga i njëjti vend, të dukemi njësoj, të jemi të njëjtës race apo diçka të ngjashme”, ka porositur aktori.

Dhe në fund nuk ka mundur të shmangë citimin e një prej hiteve më të mëdha të grupit “Queen”: “Të gjithë jemi qenie njerëzore dhe më falni për këtë, por të bashkuar jemi të parët”.

Freddie Mercury, emri i të cilit ishte Farrokh Bulsara, kishte lindur në Zanzibar nga prindër persianë nga India. Ai ishte rritur në Zanzibar dhe Indi, ndërsa më vonë kur ai ishte tinejxher, familja e tij u vendos në Angli, ku edhe u bë i njohur. /Telegrafi/