Paolo Maldini ka folur për karrierën e tij si futbollist i Milanit, ndërsa nuk ka mundur të mos e kujtojë humbjen e pazakontë nga Liverpooli në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2005 në Stamboll.
Mbrojtësi legjendar e kaloi gjithë karrierën si lojtar i Rossonerëve, babai i tij, Cesare, ka qenë kapiten dhe trajner te klubi italian, ndërsa edhe dy djemtë e Maldinit janë pjesë e Akademisë së Milanit, derisa vet ai është kthyer në rolin e drejtorit.
Paolo ka qenë pjesë e skuadrës më të suksesshme të Milanit duke e fituar pesë herë Ligën e Kampionëve, tri herë Kupën Interkontinentale, katër herë Superkupën Evropiane, shtatë herë titullin e Serie A, pesë herë Kupën e Italisë dhe pesë herë Superkupën e Italisë.
Megjithatë, në finalen e vitit 2005, ekipi i tij humbi nga Liverpooli pas penalltive, edhe pse në pjesën e parë krijoi epërsi prej tre golash, të cilën Redsat e barazuan më pas (3-3) dhe u treguan më të saktë nga pika e bardhë.
“Goli im në finalen e vitit 2005 ishte më i shpejti dhe më i bukur në një finale të Ligës së Kampionëve, finalen më dramatike që dëshmoi se gjërat nuk duhet të merren si të garantuara dhe se e paparashikueshmja e bën futbollin të mrekullueshëm”.
“Është për të qeshur, sepse kam luajtur në tetë finale të kupës evropiane (Ligës së Kampionëve) dhe i kam fituar pesë prej tyre, por njerëzit e mbajnë mend vetëm një. Ka lënë një shenjë të madhe”, ka deklaruar Maldini, i cili dy vite më vonë (2007) iu hakmor Liverpoolit duke e mposhtur në finale (2-1). /Telegrafi/