Fshatarët malazezë që jetojnë afër kufirit të kontestuar me Kosovën frikësohen se qeveria do t’i sakrifikojë interesat e tyre kur të bëjë marrëveshjen finale me Prishtinën për kufirin.
“Nuk do të ju këshilloja të shkonit atje poshtë, nuk është e sigurt”, tha polici malazez duke qëndruar në malin e lartë 1849 metra në Çakorr që zbret nga Mali i Zi brenda Kosovës.
Duke qëndruar atje nuk mund të shohësh asgjë për kilometra të tëra përveç livadheve, disa fshatra dhe stane që përdoren nga barinjtë.
Pasi që kalon Velikan, fshatin e fundit në rrugën për Çakorr, duhen afër 20 minuta vozitje përmes livadheve dhe pishave për të arritur malin.
Maja nuk është e arritshme me veturë dhe duhen disa orë ecje në këmbë për të mbërritur atje.
Një rrugë e zbrazët zbret nga Çakorri përmes grykës së Rugovës dhe përfundon në Pejë, një qytet në perëndim të Kosovës.
Patrulla të policisë mund të jenë njerëzit e vetëm që i takoni në rrugën 36 kilometra të gjatë që të dërgon nga Velika në Pejë.
Oficeri, njëri nga 4 policët e kufirit që patrullonin përgjatë kufirit atë ditë, shpjegon se territori malazez zgjatet deri te piramidat që janë shenja kufitare të vendosura nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it pas bombardimeve të vitit 1999.
“Ai është kufiri në mes të Kosovës dhe Malit të Zi edhe pse nuk ka shënjim zyrtar të kufirit,” tha ai.
“Ju keni ardhur, keni qenë atje dhe nuk ka nevojë të shkoni më tej poshtë malit”, insistoi oficeri.
Regjioni malor është arsyeja e kontestimit të gjatë të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Një marrëveshje e demarkacionit e nënshkruar në gusht të vitit 2015 i ka lënë të pakënaqur edhe politikanët kosovarë dhe malazezët lokalë.
Përderisa deputetët e opozitës në Kosovë denoncojnë marrëveshjen si të padrejtë për ta, thashethemet se ‘banditët shqiptarë’ po sillen rreth asaj zone kanë alarmuar fshatarët e izoluar malazeze.
Disa malazezë gjithashtu frikësohen se marrëveshja nuk do t’i zgjidhë problemet pronësore dhe do të mund ta pengojë qasjen e tyre në malet, livadhet dhe kullotat e tyre.
Përderisa dy shtetet që ishin dikur pjesë e Jugosllavisë kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit në vitin 2015, Parlamenti i Kosovës ende nuk e ka ratifikuar.
Marrëveshja që i referohet Kushtetutës së Jugosllavisë të vitit 1974 dhe hartave të këtij viti e vendos kufirin disa kilometra poshtë majës dhe në drejtim të Kosovës.
Marrëveshja shkaktoi përplasje të dhunshme në Kosovë pasi disa deputetë të opozitës dhe partive në pushtet deklarojnë se ajo i merr Kosovës 8 mijë hektarë tokë.
Ata thonë se kufiri i vërtetë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi shtrihet te Kulla e Zhlepit, mbi majën e Çakorrit.
Kjo ka shkaktuar një nga krizat më të mëdha politike në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.
Deputetët e opozitës nga Vetëvendosje kanë hedhur gaz lotsjellës në parlament që nga nënshkrimi i marrëveshjes, nga tetori i vitit 2015 e deri në janar të këtij viti.
Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq, në korrik i bëri thirrje Kosovës që ta respektojë pjesën e saj të marrëveshjes për kufirin pa vonesa.
“Asnjë centimetër tokë e dikujt tjetër nuk është marrë nga Mali i Zi dhe disa marrëveshje të tjera të nënshkruara lejojnë përdorimin e papenguar të pronës në anën tjetër të kufirit, lehtësojnë jetën e përditshme dhe përmirësojnë kualitetin e jetës së qytetarëve të dy shteteve që jetojnë në zonën e kufirit”, tha ai.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së demarkacionit më shumë njerëz kanë filluar të vijnë në livadhet e kufirit. Policia malazeze me lokacion në një barakë të dikurshme të ushtrisë në Çakorr, së fundmi ka rritur patrullat përgjatë vijës së gjatë 79 kilometra në mes të dy shteteve.
Kjo lëvizje erdhi pasi disa anëtarë të Vetëvendosjes në qershor kaluan në Mal të Zi dhe vendosën një pllakë ku shkruan ‘Republika e Kosovës’ si dhe flamurin shqiptar duke protestuar kundër përpjekjeve të qeverisë për të ratifikuar marrëveshjen.
Fshatarët malazezë lokalë insistojnë se vija e demarkacionit në mes të dy shteteve nuk ka qenë kurrë në maje të malit.
Ata pranojnë se një sipërfaqe prej 640 mijë metra në atë zonë janë pronë e shqiptarëve të Kosovës duke cituar të dhënat kadastrale nga qyteti i Plavës në Mal të Zi.
“Por është një gjë të jesh pronar i tokës në territorin e Malit të Zi dhe një tjetër gjë vija e kufirit, kjo nuk do të thotë që duhet të lëvizim kufirin që ata të kenë pronat në shtetin e tyre”, thotë për BIRN, Miro Vuçetiq, një fshatar i kufirit.
Familja Vuçetiq kalon çdo verë në kullotat verore në malin Çakorr në të ashtuquajturat katunde, vendbanime të përkohshme në regjionin malor ku familjet agrokulturore qëndrojnë me bagëtitë e tyre gjatë verës.
Vuçetiq tha se në muajt e fundit është parë tension, patrullime të shpeshtuara të policisë si dhe njerëz të panjohur që vijnë dhe pyesin ‘pyetje të çuditshme’, që nga ngritur dyshime.
“Kjo ka qenë një zonë e harruar e Malit të Zi dhe shumë malazezë kurrë nuk kanë shkelur në këtë tokë që mbulohet nga bora për së paku 8 muaj në vit”, thekson Vuçetiq.
“Disa nga fqinjët e mi i kanë paralajmëruar njerëzit që të mos shkojnë në anën tjetër të Çakorrit. Si duket banditët shqiptarë po fshihen prapa gurëve dhe marrin këdo që tenton të kalojë në Kosovë nga ajo anë”, shtoi ai duke pranuar se ata nuk kanë pasur përvoja të tilla.
Autoritetet malazeze nuk kanë raportuar asnjë rritje të krimeve siç janë vjedhjet apo grabitjet në kufi me Kosovën.
Megjithatë, zona është quajtur ‘pikë e zezë’ në raporte të shumta ndërkombëtare për vjedhje përgjatë rrugëve të Ballkanit.
Kjo është njëra ndër arsyet pse Mali i Zi ka ngutur Kosovën që ta përfundojë ratifikimin e marrëveshjes për kufirin në mënyrë që një pikë zyrtare kufitare të mund të hapet sa më shpejt që është e mundur
Disa shoqata qytetare të vendosura në atë zonë kryesisht me përbërje etnike serbe thonë se nuk u besojnë as qeverisë kosovare, as malazeze që t’ua mbrojnë pasurinë e tyre në atë që ata e quajnë “marrëveshje politike në mes të Podgoricës dhe Prishtinës”.
Shoqata Velika, e emëruar nga fshati më i madh i asaj zone deklaron se askush nuk do që të zgjidhë si duhet të gjitha lidhjet ligjore dhe pronësore në malin Çakorr ku lokalët thonë se ata veçse po kanë probleme në qasje të pyjeve dhe livadheve të tyre.
Një anëtar i shoqatës, profesori Marko Knezeviq, tha se shumë njerëz nuk duan të pranojnë se kufiri në mes të Kosovës dhe Malit të Zi në malin Çakorr përfshin jo vetëm çështje administrative por edhe etnike.
“Ai kufi ndan fshatarët shqiptarë të Rugovës në njërën anë dhe fshatarët e Velikës, që janë serbë dhe malazezë, në anën tjetër”, tha Knezeviq. /BIRN/