Kampionja e artë olimpike dhe ylli i xhudos shqiptare, Majlinda Kelmendi, do të jetë pjesë e festivalit të parë “Peja Outdoor Tourism Festival”, i cili do të mbahet në datat 24, 25 dhe 26 Maj. Në një video-mesazh të publikuar, Majlinda fton të gjithë të bashkohen në këtë festë të turizmit dhe aventurës në qytetin e saj të lindjes, Pejën.
“Përshëndetje të gjithëve, unë jam Majlinda Kelmendi, kampionja juaj olimpike nga Peja. Ejani të gjithë të merrni pjesë në festivalin e turizmit në Pejë, ku aventura dhe kultura na presin”, shprehet me ngrohtësi Majlinda në mesazhin e saj.
Festivali “Peja Outdoor Tourism Festival” vjen si një ngjarje e madhe që sjell së bashku veprimtaritë rekreative në natyrë dhe ofron një platformë për të përjetuar bukuritë dhe traditat kulturore të Pejës. Majlinda Kelmendi, së bashku me yje të tjera si Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Mrika Nikqi, do të jenë disa nga personalitetet publike të cilat do të na nderojnë me praninë e tyre.
Vizitorët do të kenë mundësi të marrin pjesë në një sërë aktivitetesh falas që përfshijnë ecje në natyrë, çiklizëm, ngjitje në shkëmbinj, paragliding, speleologji dhe udhëtime në shtigjet e Pejës, duke u njohur me trashëgiminë kulturore dhe natyrore të kësaj zone.
Festivali është një iniciativë që synon të njohë dhe të promovojë Pejën si një destinacion i preferuar për turistët e aventurës, duke bashkuar përpjekjet e institucioneve publike dhe private. Gjithashtu, do të trajtohen tema si zhvillimi i turizmit aventuresk dhe menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm.
Ky festival nuk është vetëm për entuziastët e aventurës, por edhe për familjet dhe të moshuarit që dëshirojnë të eksplorojnë dhe të përjetojnë magjinë e Pejës. Me një gamë të gjerë aktivitetesh dhe programe kulturore, “Peja Outdoor Tourism Festival” pritet të jetë një pikë referimi për turizmin e aventurës në Kosovë dhe në Ballkan. /Telegrafi/