Majlinda Bregu ka dalë kundër bojkotit të zgjedhjeve të 18 qershorit nga ana e Partisë Demokratike.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, ajo shkruan se vendimi për të mos hyrë në zgjedhje është marrë pa u konsultuar me grupin parlamentar dhe strukturat drejtuese si dhe dëmton partinë.
Reagimi i plotë i Bregut:
Dua të ndaj sot shqetësimin tim të thellë me të gjithë miqtë dhe mbështetësit e Partisë Demokratike! Orët e mundësisë për të ndaluar futjen në një rrugë që kurrë s’ka qenë rruga e partisë sonë, po mbarojnë! U bë qëkur s’mbahet mend që grupi parlamentar i PD-së nuk mblidhet për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar nga kryetari i partisë. Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real. Megjithatë e kam përkrahur edhe cadrën edhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek ceshtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kam kërkuar disa herë edhe në takimet me kryetarin e Partisë mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Vendimmarrjen e një grupimi politik e di institucion po aq të rëndësishëm sa dhe vendimin e gjithkujt për të dëgjuar ndërgjegjen e tij. Po aq, forumet e partisë i di si institucione vendimarrëse e jo vetëm pika të stat utit. Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real. Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të Partive Popullore Evropiane, u mor pa u konsultuar me askënd. Ndërkohë maxhoranca vazhdon fare e patrazuar rrugën e saj të kapjes përfundimtare të të gjithë pushteteve dhe duket se nuk e ka hic për gajle ta kapë edhe parlamentin e ta bojatisë të tërin mavi. Shpresa e madhe e disa të fajshmëve se martesa e interesit të Edi Ramës me Ilir Metën do përfundonte me divorc dhe nga divorci do rrëzohej qeveria, u tret si flluskë sapuni. Kam kërkuar tek miqtë tanë të Partive Popullore ndihmë për të mos lejuar që Edi Rama të shpallet si engjëll e hero i reformës në drejtësi. Por me pranimin e kompromisit të ofruar nga David McAllister dhe Knut Flekenstein ai vrau më shumë se dy zogj me nje gur të vetëm! Edhe PD-në e nxorri refuzuese në sytë e miqve tanë të PPE-së, pasi s’ka lë në gje pa manipuluar për ta nxjerrë fajtore në sytë e gjithë botës; edhe Ilir Metën e hoqi qafe duke i hequr të fajshmëve stolin ku mendonin se do të ngjiteshin për të dalë mbi PS-në. Dhe ja ku jemi sot. Edi Rama del na jep orë e minuta në dispozicion për një kompromis, në çartje për tu dukur si engjëll që lutet për paqe, ndërkohë që e dinë mirë edhe socialistët se sa i dëshiruar është për zgjedhje me kundërshtar. Unë nuk besoj se Edi Rama që bën sot e gjithë ditën të përvëluarin për dialog e për zgjidhje, ka ndonjë ëndërr tjetër vec asaj që tani të bëhet dhe mbret! Po PD-ja ku ishte dhe ku është në gjithë këtë mjegull? Pa një debat minimal dhe pa as më të voglën shenjë reflektimi në këtë situatë kaq të rrezikshme për të ardhmen e saj?! Partia Demokratike ka lindur si Parti me vokacion perëndimor. Nuk iu largua zgjedhjeve as në 1997, pasi u largua e dhunuar nga pushteti i bandave të armatosura madje mori pjesë në zgjedhje edhe në zonat ku kandidatët e saj nuk futeshin dot fizikisht! Partia Demokratike nuk u pajtua asnjë sekondë, as me bojkotin antieuropian të Edi Ramës dhe as me bllokimet skandaloze të rrugëve në emër të votës së lirë! Dhe ju siguroj të gjithë ne që e kemi quajtur antieuropian e antikombëtar Edi Ramën e kemi besuar se i tillë vetëm ai mund të ishte. Një arsye më shumë kjo për të mos rënë dakord sot me veprime e bllokime si ato të Edi Ramës dje. E di që zeri im sot mund të duket një zë në shkretetirë, por shpresoj të mos mbetet kështu. Kam heshtur këto kohë publikisht dhe jam përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmoj PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t’i bind miqtë tanë të PPE të na vijnë sërish në ndihmë. Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!” Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi! Dhe une jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s’na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi! Nuk dua që asnjë të na kthejë shpinën publikisht nësë ne nuk kthehemi në rrugën e përbashkët të familjes së djathtë evropiane! Po më shumë se për ata, ne sot duhet të mos e pranojmë më tutje në heshtje opsionin e transformimit të PD-së nga një alternativë reale e kësaj maxhorance të frikshme, në justifikimin e saj më fantastik pë cdo paudhësi më të madhe!