Telegrafi

Majko uron veteranët e Luftës së Kosovës me foton e uniformës së ushtrisë amerikane që ndodhet në muzeun e Beogradit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka uruar sot veteranët e Luftës së Kosovës me një uniform të ushtrisë amerikane, duke e cilësuar SHBA-në si mike të shqiptarëve.

Në një postim në rrjetet sociale, Majko ka shkruar se uniforma në fjalë është e vendosur në muzeun ushtarak të Beogradit.

“30 dhjetor, sot dita e veteranëve të Luftës së Kosovës. Uniforma e veteranit të panjohur të kësaj Lufte, është në muzeun ushtarak të Beogradit. Ajo i përket ushtrisë së SHBA, mike e shqiptarëve. Urime veteranë të Luftës së Kosovës! Jemi, se kujtojmë!”, shkruan Majko në Twitter.

Sipas Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës. /Telegrafi/