Telegrafi

Mahrez i mllefosur me klubin, bojkoton ndeshjen pasi nuk e lejuan t’i bashkohet Cityt

Mesfushori algjerian, Riyad Mahrez ka mbetur i zhgënjyer me klubin e tij Leicester City.

Mahrez ishte objektiv i liderit aktual të Ligës Premier, Manchester City për afatin kalimtar të janarit.

Pep Guardiola e kërkoi transferimin e tij dhe klubi u mundua për t’ia sjellë në Etihad Stadium.

City kishte ofruar 65 milionë funte për transferimin e tij por kjo ofertë u refuzua nga Leicester City.

Ish-kampionët e Anglisë kanë kërkuar një shumë prej 95 milionë funteve për ta lënë të lirë algjerianin t’i bashkohet Cityt.

Kjo ka bërë që skuadra nga Manchesteri të tërhiqet nga gara për nënshkrimin e tij.

Shuma e madhe e kërkuar nga klubi e ka revoltuar lojtarin i cili ka bojkotuar stërvitjet dhe ndeshjen ndaj Evertonit të humbur 2-1 nga Leicester.

Sky Sport raporton se Mahrez ende mban inat me klubin dhe nuk dihet nëse do të rikthehet në stërvitje.

Lojtari u kërkua edhe në verë nga skuadrat e mëdha si Roma, Arsenal dhe Monaco por ishte Leicesteri që bllokoi largimin e tij. /Telegrafi/