Poezi nga: Charles Bukowski
Përktheu: Fadil Bajraj
me siguri se i kam pasur më shumë
se kushdo tjetër
dhe ende s’më kanë
mbytur
sado që disa nga ato mëngjese më
dukeshin
tmerrësisht ngat
vdekjes.
siç e dini, më së keqi është të pish
në bark të thatë, duke ndezur cigare
pas
cigares
e duke përmbysur
dolli të shumta
dhe turlifare.
e mahmurllëqet më të zeza janë kur
çohesh
në veturën tënde apo në ndonjë
dhomë të panjohur
apo në ndonjë skutë apo në burg
mahmurllëqet më të këqija janë kur
çohesh
e kupton se mbramë
ke bërë diç absolutisht të mbrapshtë,
të pakuptimtë dhe mbase të rrezikshme
por
nuk mundesh bash të kujtohesh se
çka.
e zgjohesh në gjendje të ndryshme
kaosi – me pjesë të dëmtuara
trupi, me para të zhdukura
dhe/ose mundësisht dhe shpeshherë
me makinë
të zhdukur, nëse e ke pasur.
mund të thërrasësh zoçkën
tënde, nëse ke qenë me të, më së
shpeshti që do të ta mbyll dëgjuesen
sapo të ta njoh zërin.
ose nëse është në atë çast me ty,
ta ndiesh mllefin e saj të tërbuar
e të papërmbajtur.
pijanecëve kurrë s’u falet.
por pijanecët vetvetes do t’ia falin
ngase prapë duhet të
pinë.
duhet qëndrueshmëri e pafe që njeriu
të mbetet pijanec gjatë shumë
dekadash.
zdërhallja t’i shfaros
ortakët.
ti vetë përherë zvarritesh nëpër
spitale
ku shpesh të bombardojnë me paralajmërime:
“Edhe një pije dhe do të jesh i
vdekur.”
dhe pasi që jeta jote i afrohet kufirit të
tri
katërtave të shekullit
zbulon se të duhet shumë e më
shumë
pije për t’u
dehur.
edhe mahmurllëqet janë edhe më të
këqija,
këndellja zgjat më
shumë.
e budallallëku më i pabesueshëm
është
se aspak s’të vjen keq që
të gjitha këto i ke
bërë
dhe se këto ende i
bën.
tash po rri e po e shtyp këtë
nën zgjedhën e një prej mahmurllëqeve
më të zeza në jetë
derisa në përdhesë
mrizojnë gjithfarë e turlifarë
shishesh
alkooli.
krejt kjo ka qenë aq shtazarakisht
bukur
ai lumë i marrë,
ajo marrëzi
depërtuese
shkatërrimtare
të cilën s’do t’ia dëshiroja
askujt
përveç vetes,
amin.