Telegrafi

Mahaj demanton LDK-në për investimet në Ushtrinë e Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar ndaj deklarimeve të LDK-së mbi investimet kapitale për Ushtrinë e Kosovës nga Ministria e Mbrojtjes në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Në një postim në Facebook, ministri Mehaj ka thënë se “brenda periudhës së qeverisjes së deritanishme janë zotuar mbi 50 milionë euro blerje të armatimit. Kaq buxhet për kaq ditë qeverisëse, nuk ka ndarë asnjë qeveri më herët”.

“Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë 67 milionë euro, në qeverinë tonë është rritur në 102.3 milionë… Këtë vit, deri më tani kemi zotuar 28.6% të buxhetit për blerje. Kjo përqindje do të dyfishohet brenda javëve të ardhshme, kur do të përmbyllen blerjet që janë në proces”, ka shkruar ai.

“Ministria e Mbrojtjes vitin që lëmë pas ka shpenzuar 96% të buxhetit, njëherësh përqindja më e lartë e shpenzimit të buxhetit ndonjëherë”, ka shtuar ai.

Sipas ministrit Mehaj, vetëm për një vit e gjysmë kanë rekrutuar 1240 ushtarë të rinj dhe së shpejti do të hapet konkursi edhe për 612 ushtarë aktivë dhe 367 ushtarë rezervë.

Ndryshe, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku sot në një konferencë për media tha se nga 53 milionë euro të dedikuara për investime kapitale për ushtrinë e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka realizuar vetëm dy milionë.

Lexo po ashtu LDK: Qeveria Kurti e paaftë për të qeverisur në kohë krize

“47 projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me avancimin e sistemeve për menaxhimin e financave publike, kanë zero realizim nga kjo ministri. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes nuk ka më shumë se 5 për qind realizim për investimet kapitale të dedikuara për 6 muajt e parë. Është kontradiktore se si javën e kaluar kryeministri fliste për luftën, ndërkohë që arrin të investojë vetëm 5 për qind të buxhetit të kësaj ministrie në pajisjet dhe forcimin e Ushtrisë së Kosovës”, tha ajo.