Telegrafi

Maguire shpallet fajtor për shkaktim të lëndimit trupor, tentim ryshfeti, dhunë ndaj punëtorëve publikë dhe fyerje

(Foto: Wolfgang Rattay/Pool via Getty Images/Guliver)

Kapiteni i Manchester Unitedit, Harry Maguire, ka marrë dënim me kusht prej 21 muajsh e 10 ditësh, pas procesit gjyqësor në ishullin grek, Syros.

Mbrojtësi anglez është shpallur fajtor për shkaktim të lëndimit trupor, përpjekje të dhënies së ryshfetit, dhunës kundër punonjësve publik dhe për ofendim gjatë arrestimit në Mykonos.

Në deklaratën e tij pas këtij vendimi, 27-vjeçari ka thënë se u ka kërkuar avokatëve të tij që të bëjnë apel kundër vendimit, pasi e konsideron veten të pafajshëm dhe viktimë të incidentit.

(Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Dënimi me kusht është një term gjyqësor për shtyrjen e vuajtjes së dënimit nga një i pandehur pasi shpallet fajtor, me qëllim që t’i mundësojë një periudhë prove. Nëse i pandehuri nuk e shkel ligjin gjatë periudhës së dhënë dhe i plotëson kushtet e paracaktuara të lirimit me kusht, gjykatësi zakonisht e hedh poshtë dënimin.


(Foto: Oli Scarff/Pool via Getty Images/Guliver)

Maguire u arrestua së bashku me vëllanë e tij, Joe (28 vjeçar) dhe Christopher Sharman (29 vjeçar), pas një përleshjeje me policinë.

Lexo po ashtu Harry Maguire përfshihet në një rrahje në Greqi, arrestohet pastaj pas një sulmi ndaj policisë

Joe Maguire u gjet fajtor për lëndim trupore, dhunë ndaj punonjësve publikë dhe tentim ryshfeti; kurse Sharman është shpallur fajtor për fyerje, lëndim trupore dhe dhunë ndaj punonjësve publikë. /Telegrafi/