Site icon Telegrafi

Maduro paralajmëron Trumpin: Do të mbulohesh në gjak

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro nuk e përjashton mundësinë e një lufte civile, teksa presioni mbi të për dorëheqje sa vjen e rritet.

Në një intervistë televizive, ai paralajmëroi se presidenti amerikan, Donald Trump do të dilte nga Shtëpia e Bardhë “i mbuluar në gjak”, nëse do të ndërhynte në krizën e vendit të tij.

Por, kreu i shteti refuzoi në të njëjtën kohë edhe thirrjen e vendeve të Bashkimit Evropian, bashkë me afatin përfundimtar të së dielës të vendosur prej tyre, për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido u vetëdeklarua president i përkohshëm i vendit muajin e kaluar, e menjëherë fitoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Ai u shpreh një ditë më parë se po përpiqet të ngrejë një koalicion ndërkombëtar që do të mund t’iu dërgonte ndihma humanitare venezuelasve, por Maduro e akuzon atë se po organizon një “grusht shteti”.

Në intervistën për një program televiziv spanjoll, të transmetuar të dielën, Maduro u pyet mbi faktin nëse kriza në Venezuelë mund të precipitonte në luftë civile.

“Sot për sot, askush nuk mund t’i përgjigjet me siguri kësaj pyetjeje. Gjithçka varet nga niveli i çmendurisë dhe agresivitetit të perandorisë së veriut (i referohet Shteteve të Bashkuara) dhe aleatëve perëndimorë të saj. Ne kemi kërkuar që askush të mos ndërhyjë në çështjet tona të brendshme…ndërkohë që po përgatitemi gjithashtu për të mbrojtur vendin tonë”, tha Maduro.

Presidenti Trump ishte shprehur më herët gjatë një interviste për “CBS”, se opsioni i ndërhyrjes ushtarake ishte ende mbi tavolinë. Por, Maduro e paralajmëroi udhëheqësin amerikan se, ai do të rrezikonte të përsëriste luftën e Vietnamit nëse ndërhynte në Venezuelë.

“Ndalu Donald Trump! Po bëni gabime që do t’iu mbulojnë duart me gjak, e do të dilni prej Shtëpisë së Bardhë i mbuluar në gjak – kërcënoi Maduro. – Le ta respektojmë njëri-tjetrin, apo mos dëshiron të përsërisësh një luftë Vietnami në Amerikën Latine?”.

E diela ishte edhe afati përfundimtar, i skaduar tashmë, vendosur nga disa prej vendeve europiane, si Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Spanja, që kërkonin prej Maduros të mbante zgjedhje të parakohshme presidenciale. Ato ishin shprehur se do ta njihnin Guaidon si president të përkohshëm të vendit, nëse një angazhim i tillë nuk do të merrej nga Maduro, transmeton tch.

Por, ky i fundit u përgjigj se nuk pranon ultimatume nga askush.

“Është e njëjta gjë sikur unë t’i them Bashkimit Europian, keni 7 ditë kohë për të njohur Republikën e Katalonjës, e nëse nuk e bëni ne do të ndërmarrim masa. Jo, politikat ndërkombëtare nuk mund të bazohen mbi ultimatume. Ka ikur epoka e perandorive dhe kolonive”, tha ai. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version