Telegrafi

Macron do të takohet me presidentin gjerman në një vizitë të rrallë shtetërore

Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të vizitojë homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në Berlin.

Bëhet e ditur se Emmanuel Macron i Francës do të bëjë një vizitë shtetërore në Gjermani, udhëtimi i parë i këtij lloji nga një president francez në 24 vjet.

Megjithëse Macron udhëton rregullisht në Berlin për t’u takuar me kancelarin Olaf Scholz, një vizitë shtetërore mund të konsiderohet e tillë vetëm kur ai takohet me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Siç raportohet, qëllimi i kësaj vizite është të shënojë “thellësinë e lidhjes franko-gjermane”, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Edhe hulumtuesja në Komitetin për Marrëdhëniet Franko-Gjermane (Cerfa), Jeanette Süẞ, thotë se qëllimi i vizitës është gjetja e pikave të përbashkëta për tema të së ardhmes si teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale.

Gjithashtu, në krye të agjendës do të jenë edhe demokracia, rinia dhe energjia bërthamore, në një përpjekje për të “ringjallur marrëdhëniet” e të dy shteteve.

Përveç Berlinit, Macron do të vizitojë edhe Dresdenin dhe Munsterin.

Gjatë asaj kohe, të dy presidentët do të festojnë 75 vjetorin e kushtetutës gjermane dhe do të vizitojnë Memorialin e Holokaustit.

Vizita shtetërore do të pasohet nga një këshill i ministrave franko-gjerman së bashku me kancelarin Scholz.

Ndryshe, Macron kishte planifikuar të vizitonte Gjermaninë vitin e kaluar, por duhej ta anulonte në minutën e fundit për shkak të trazirave në Francë. /Telegrafi/