Site icon Telegrafi

Macron: Sulm neveritës ndaj kurdëve në Paris

Përleshjet shpërthyen të premten në Paris, ndërsa anëtarët e tronditur të komunitetit kurd në kryeqytetin francez kërkuan drejtësi pas një sulmi vdekjeprurës me armë zjarri, ku mbetën të vrarë tre persona në një qendër kulturore kurde.

Kjo ka shtyrë të reagojë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili përmes rrjeteve sociale ka pohuar se kurdët po sulmohen në mënyrë neveritëse.

“Kurdët e Francës kanë qenë objektivi të një sulmi neveritës në zemër të Parisit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet dhe të dashurit e tyre”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, sot banorët dhe tregtarët që ishin në vendin e ngjarjes u tronditën thellë nga sulmi, i cili erdhi ndërsa Parisi është plot me aktivitet festive përpara fundjavës së Krishtlindjeve.

Të shtënat ndodhën në mesditë në një qendër kulturore kurde, restorant dhe parukeri, sipas kryetares së bashkisë së qarkut të 10-të të Parisit, Alexandra Cordebard.

Duke folur për gazetarët në vendngjarje, ajo tha se “motivimi i vërtetë” për të shtënat mbetet i paqartë.

Policia rrethoi zonën e krimit në Paris, një rrugë e frekuentuar prej njerëzve dhe ku gjenden shumë dyqane e restorante pranë stacionit të trenit Gare de l’Est.

Policia e Parisit paralajmëroi njerëzit të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes derisa po kryhen hetimet. /Telegrafi/

Exit mobile version