Telegrafi

Macron i shkruan Thaçit: Të mënjanohen pengesat për vazhdimin e dialogut

Me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar një urim nga homologu i tij francez, Emmanuel Macron.

Në letrën e tij, i pari i shtetit të Francës, me theks të veçantë ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, ku ka kërkuar që ky proces të vazhdojë sa më shpejt.

“Sa i përket situatës në Ballkan, unë mbështes përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është thelbësore për stabilizimin e qëndrueshëm të rajonit. Franca shpreson se pengesat për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës do të mënjanohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet ne letër.

Letra e plotë:

I nderuari President,

Me rastin e Festës Kombëtare të Kosovës, kam kënaqësinë t’ju dërgoj, në emrin tim dhe në emër të popullit francez, urimet e mia të sinqerta.

Që nga viti 2008, dy vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie të bazuar në besim. Siç e dini, Franca qëndron në krah të Kosovës në mbështetje të afirmimit të saj të plotë në skenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju përgëzoj për avancimin e vendit tuaj në statusin e anëtarit të asociuar të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në Samitin e Jerevanit, më 11 dhe 12 tetor të vitit të kaluar.

Sa i përket situatës në Ballkan, unë mbështes përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është thelbësore për stabilizimin e qëndrueshëm të rajonit. Franca shpreson se pengesat për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës do të mënjanohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ne, gjithashtu, mbështesim agjendën e reformave evropiane, në veçanti reformat që kanë për qëllim vendosjen e sundimit të ligjit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit tuaj. Dëshmi e angazhimit të Francës në këtë fushë është Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), e cila do të jetë e pranishme së shpejti në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë.

Duke ripërtërirë urimet e mia të ngrohta, ju lutem pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës time më të lartë.

Emmanuel MACRON