Emmanuel Macron ende planifikon të notojë në lumin Seine siç kishte premtuar, por “jo domosdoshmërisht” përpara Lojërave Olimpike të Parisit që fillojnë pas një jave.
Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë zyra presidenciale Elysee të premten, 19 korrik.
Presidenti francez ka këmbëngulur disa herë se do të zhytej në lumin e kryeqytetit për të nxjerrë në pah mundësinë e notit sërish atje falë punës së madhe të pastrimit dhe për të dhënë siguri për cilësinë e ujit.
Por Macron, 46 vjeç, nuk caktoi kurrë një datë dhe nuk iu bashkua ministres franceze të sportit, Amelie Oudea-Castera dhe kryebashkiakut të Parisit, Anne Hidalgo, të cilët të dy u zhytën në “ujërat e turbullta” javën e kaluar.
“Ai nuk njoftoi se do të notonte para Olimpiadës, ai njoftoi se do të notonte dhe gjithmonë e ka shprehur këtë”, u tha gazetarëve të premten një zëdhënës i presidentit.
Por ai nuk do të ketë domosdoshmërisht mundësinë për ta bërë këtë para Lojërave. /Telegrafi/