Telegrafi

Macron paralajmëron Turqinë për operacionin në Siri

Presidenti francez, Emmanuel Macron e paralajmëroi të mërkurën Turqinë të mos e kthejë ofensivën e saj ushtarake kundër militantëve kurdë në Sirinë Veriore në ‘një operacion pushtimi’.

“Nëse del se ky operacion merr një kthesë tjetër përveç luftës ndaj terrorizmit dhe rrezikut që ky shfaq ndaj kufirit turk dhe të kthehet në një operacion pushtimi, ky do të jetë një problem i vërtetë për ne”, i tha Macron të përditshmes ‘Le Figaro’, shkruan Telegrafi.

“Ne nuk mund të kemi siguri në terren pa respektuar sovranitetin sirian kundër një armiku që tani nuk është më Daesh,” shtoi ai.

Macron tha se do të diskutojë përsëri çështjen me Presidentin turk Erdogan dhe se natyra e operacionit nënkuptonte se duhet të ketë diskutime midis evropianëve, por gjithashtu më gjerësisht midis aleatëve.

Kryeministri turk, Binali Yildirim, mbrojti operacionin duke thënë se ai kishte për qëllim vetëm sigurimin e sigurisë së vendit të tij dhe mbrojtjen e arabëve, kurdëve dhe turkmenëve nga ‘organizatat terroriste’.

“Nëse Franca e interpreton këtë çështje si të tillë [operacion pushtimi], ne duhet të vlerësojmë atë që kanë bërë në Siri në përputhje me rrethanat”, tha Yildirum në një konferencë shtypi së bashku me Kryeministrin libanez, Saad al-Hariri, në Ankara.

Turqia filloi më 20 janar operacionin ‘Dega e Ullirit’ kundër Njësive të Mbrojtjes Popullore Kurde (YPG) në Afrin të Sirisë Veriore. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha më herët se ofensiva ushtarake në rajonin kurd mund të zgjerohet më tej në lindje të qytetit Manbij, ku janë të vendosura forcat speciale amerikane. /Telegrafi/