Site icon Telegrafi

Macron letër Vuçiqit, shkruan edhe për dialogun Kosovë-Serbi: Shpresoj që suksesi të ndodhë në muajt e ardhshëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar një mesazh urimi nga presidenti i Francës, Emanuel Macron, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.

Siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, në mesazhin e urimit theksohet se presidenti francez “është i lumtur që marrëdhëniet mes dy vendeve, të rrënjosura në histori dhe të ushqyera nga miqësia e ndërsjellë, vazhdojnë të zhvillohen me sukses”.

“Në frymën e Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, të cilën Franca e miratoi në prill 2019, ne kemi vazhduar shkëmbimet tona të rregullta politike dhe dua t’i mbajmë ato edhe në të ardhmen”.

Macron gjithashtu ka theksuar si të rëndësishëm edhe anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ai ka shtuar se do të vazhdojë të mbështesë dialogun e Serbisë me Kosovën me ndërmjetësimin evropian, me qëllim që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë shpreh dëshirën time që suksesi, në këtë kuptim, të ndodhë në muajt e ardhshëm”, citohet të ketë shkruar Macron.

Presidenti francez ka thënë gjithashtu se Franca dëshiron të vendosë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në qendër të presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ta bëjë këtë rajon një zonë paqeje dhe prosperiteti. /Telegrafi/

Exit mobile version