Site icon Telegrafi

Macron jep sinjal për çeljen e negociatave me Shqipërinë

Macron në fjalimin në kuadër të Konferencës së Sigurisë ka folur për reformimin e Europës. Ai ka kërkuar nga BE të mos fiksohet tek bisedimet e anëtarësimit, por më mirë të investojë tek shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalimin e mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidenti francez, Emmanuel Mcron kërkoi një temp më të shpejtë nga Gjermania në drejtim të reformimit të Evropës. Ai nuk është “i zhgënjyer”, por “i paduruar” lidhur me reagimet e rezervuara të Berlinit lidhur me ofertën për dialog mbi armët atomike, tha Macron. Në kuadër të Konferencës së Sigurisë, Macron u takua edhe me disa politikanë gjermanë që mund të jenë kandidatë për kancelar e mund të pasojnë Angela Merkelin në postin e kancelares.

Për shkak të problemeve urgjente që ka BE, Macron kërkoi “përgjigje të qarta” të Gjermanisë dhe Francës. Ai kritikoi që Gjermania dhe Franca në marrëdhëniet e tyre kanë një “histori pritjeje për përgjigjet”. Por në vitet e ardhshme do të duhet të zhvillohet më shpejt “sovraniteti në nivel europian”.  Për shkak të rritjes së refuzimit në popullsi, “aventura europiane” duhet të marrë një “dinamikë të re”, tha Macron.

Sinjal për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Në fjalimin e tij në Mynih, presidenti Macron ka sinjalizuar se Franca do të heqë dorë nga bllokimi i çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëse Bashkimi Europian ka ndryshuar rregullat e anëtarësimit, atëherë mund të flasim për këtë në samitin e BE në Bruksel, tha Macron në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ai kundërshtoi përshtypjen e krijuar, se vetëm Franca e kishte bllokuar vendimin e çeljes së negociatave. Ka pasur shumë vende të tjera pas “jo” së Francës, tha ai.

Në tërësi presidenti francez shprehu dyshime për politikën e zgjerimit të BE. Një politikë e njësuar e jashtme kundrejt Turqisë apo Rusisë është gati e pamundur me më shumë se 30 anëtarë. Ai kërkoi që në vend që të fiksohet tek bisedimet e anëtarësimit, BE duhet të investojë tek shtetet e Ballkanit Perëndimor./DW/

Exit mobile version