Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po përjeton, për shkak të reformave në pension, momentet ndoshta më të vështira për sa i përket situatës politike dhe sociale brenda vendit dhe qytetarë të shumtë e politikanë të opozitës përdorin çdo mundësi për të kritikuar punën e tij.
Një rast i tillë pasoi intervistën e presidentit francez për televizionin TF1, ku Macron foli për situatën aktuale të shtetit dhe pakënaqësitë e sindikatave. Ndër të tjera, një nga temat e diskutuara ka të bëjë edhe me qytetarët që kanë paga minimale.
Pikërisht në atë moment, teksa fliste për pagat minimale, Macron vendosi të hiqte orën e shtrenjtë dhe kjo u vu re nga analistë dhe politikanë të shumtë të cilët i dërguan Macronit një sërë kritikash.
C'est finalement l'image de cette interview #Macron13h :
Au moment de parler des "smicards" qui n'ont "jamais autant gagné de pouvoir d'achat", il retire discrètement sa jolie montre de luxe, sous la table.
Cet homme est une farce. #Greve23mars https://t.co/DvhreQ0S3n
— Clémence Guetté (@Clemence_Guette) March 23, 2023
“Kur flet për njerëz me të ardhura minimale, ata që nuk kanë fituar kurrë kaq shumë fuqi blerëse, Macron fsheh në mënyrë diskrete orën e tij të bukur luksoze nën tryezë. Ky njeri është qesharak”, tha politikani, Clemence Guette.
Kur qytetarët deklaruan se ora kushton mbi 80 mijë euro, zyra e presidentit njoftoi se bëhet fjalë për modelin BR V1-92, i shitur nga prodhuesi francez i orëve Bell & Ross, çmimi i së cilës është rreth 2500 euro.
Në pyetjen se pse e hoqi orën gjatë intervistës dhe gjatë temës së pagës minimale, nga kabineti qeveritar u përgjigj se çështja është shumë e thjeshtë.
“Nuk është për hir të fshehjes, por sepse pikërisht në atë moment ai goditi brutalisht tavolinën me orën. Zhurma mund të dëgjohet qartë në video”, njoftoi zyra e presidentit. /Telegrafi/