Telegrafi

Macron akuzon Turqinë se po bashkëpunon me aleatët e ISIS-it

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, akuzoi sot Turqinë për bashkëpunim me aleatët e Shtetit Islamik dhe tha se Ankaraja duhet të pastrojë këto paqartësi gjatë takimeve të kësaj jave.

“Grupet terroriste janë një armik i zakonshëm sot. Më vjen keq të them që ne nuk kemi të njëjtin përkufizim të terrorizmit”, tha Macron në një konferencë shtypi që mbajti me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Kur shikoj Turqinë, ata janë duke luftuar kundër atyre që luftuan krah për krah me ne kundër ISIS-it, dhe ndonjëherë ata janë duke punuar me aleatët e ISIS-it”, tha presidenti francez.

Macron gjithashtu hodhi poshtë thirrjen e Trump që Parisi të sjellë luftëtarët e tij të huaj në shtëpi, duke thënë se kjo nuk është prioritet.

Ai tha se fokusi duhet të jetë në zgjidhjen e problemit të Shtetit Islamik, i cili ende nuk është mposhtur.

Trump tha se po mendon të vendosë sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit raketor rus, duke akuzuar paraardhësin e tij se Ankarasë nuk ia ka shitur sistemin e raketave amerikane.

“Ne mendojmë për këtë dhe flasim për këtë”, u tha Trump gazetarëve.

“Siç e dini, Turqia dëshironte të blinte sistemin tonë ‘Patriot’ dhe administrata (ish-presidenti amerikan Barack Obama) nuk ua lejoi. Ata ia lejuan vetëm kur ishin gati për të blerë një sistem tjetër”, vuri në dukje Trump. /Telegrafi/