Telegrafi

Mack Rutherford, bëhet personi më i ri që arriti të shëtit botën me aeroplan – kaloi nëpër 52 shtete për pesë muaj

Mack Rutherford është britaniku që me vetëm 17 vjet, është bërë personi më i ri që pa ndihmën e askujt si pilot arriti ta shëtisë botën.

Rutherford fluturoi me aeroplanin e vogël, e udhëtimi i tij ka zgjatur pesë muaj – duke kaluar nëpër 52 vende të ndryshme të botës, transmeton Telegrafi.

Udhëtimin pesëmujor e filloi dhe mbaroi në Sofia të Bullgarisë. Me t’u kthyer ka treguar sesi ka hasur në stuhi të rërës në Sudan, dhe se netët i kishte kaluar në një ishull të pabanuar në Paqësor.

Motra e tij e madhe Zara, është gruaja më e re që pa ndihmën e askujt ka arritur të fluturoj përreth botës. Në anën tjetër, Mack ka inkurajuar të tjerët që të ndjekin ëndrrat e tyre pavarësisht sa vite i kanë.

“Punoni pandërprerë dhe shkoni para që të arrini qëllimet”, shtoi ai.

Udhëtimin e realizoi përmes Evropës, Azisë, Afrikës, Amerikës – duke kaluar nëpërmjet dy oqeaneve.

Mack që vjen nga një familje pilotësh, ishte nisur nga kryeqyteti bullgar gjatë 23 marsit, dhe kishte vazhduar rrugëtimin duke u ballafaquar edhe me temperatura ekstreme në Dubai, si dhe mbylljen e befasishme të aeroportit në Indi.

Ky adoleshent ka përdorur aeroplanin e vogël të ashtuquajtur peshkaqen, që ka performansa të larta dhe mund të arrijë shpejtësinë prej 300 kilometra në orë. /Telegrafi/