Telegrafi

‘Macja e famshme’ që jeton për 16 vjet në Aja Sofian e Stambollit është vendosur në izolim, pasi u sëmur

Macja e famshme e Aja Sofia, Gli, është izoluar dhe po merr trajtim pasi u sëmur, tha të premten një deklaratë e postuar në llogarinë e saj në Instagram.

“Të dashur miq, ja ku jam. Ka qenë një kohë e gjatë e heshtjes time …”, thuhej në një deklaratë në llogarinë zyrtare të Gli në Instagram, HagiaSophiaCat, shkruan DailySabah, përcjell Telegrafi.

Po sipas DailySabah, deklarata vuri në dukje se Gli do të qëndronte në një dhomë private sepse zemra e saj “nuk mund të përballojë më stresin dhe turmën”.

“Mos harroni, ilaçi më i mirë është dashuria”, shkruante më tej në deklaratë.

Macja Gli është fotografuar në Aja Sofia në Stamboll, Turqi, 2 korrik 2020.

Duke u konsideruar si një “mace e famshme”, Gli ka mbi 103,000 ndjekës në Instagram.

Ajo thuhet se ka jetuar në Aja Sofia për 16 vitet e fundit.

Me sytë e saj të gjelbër të shndritshëm, Gli u bë e preferuara në mesin e vizitorëve të Aja Sofia, duke përfshirë ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama, i cili u filmua duke e ledhatuar atë gjatë një udhëtimi në vitin 2009.

Dhe edhe pasi e kthyen strukturën e famshme në një xhami, autoritetet turke siguruan që Aja Sofia do të vazhdonte të mbetej shtëpia e Gli. /Telegrafi/