Site icon Telegrafi

Maas: Dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohje, por ka edhe kompromise

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas ka nënvizuar qartë se idetë për ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor janë të rrezikshme dhe jo realiste.

Kryediplomati gjerman në një konferencë të përbashkët për medie me presidenten Vjosa Osmani, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke, por duhet të ketë një kompromis për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Pas takimit me të parën e shtetit, Mass premtoi se Gjermania do të angazhohet për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për Kosovën. Derisa bëri të ditur se javëve të ardhshme platformës COVAX do t’i shtohen edhe 100 mijë vaksina të reja për Kosovën.

“Natyrisht se njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe nuk do të realizohet. Përtej kësaj nga dy anët është normale në dialogët për normalizim të ketë një kompromis. Nuk dua të tërheq linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër, për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s’dua ta ngarkoj edhe më tej procesin, por në fund të procesit dëshiroj të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, tha ai.

Lexo po ashtu Ministri i Jashtëm gjerman: Javëve të ardhshme do të vijnë edhe rreth 100 mijë doza të vaksinës anti-COVID për Kosovën

Idetë për ndryshim të kufijve, Maas tha se duhet të futen në sirtarë dhe të jenë pjesë e së kaluarës.

“Më lejoni që të nënvizoj qartë se idetë, të cilat janë shprehur kohëve të fundit për çështjet e shprehura komplekse, sociale dhe politike mund të zgjidhen me vizatim në harta i konsiderojmë jo realiste dhe tejet të rrezikshme. Ne e konsiderojmë këtë të rrezikshëm edhe diskutimin që bëhet përreth tyre. Andaj jam i lumtur që edhe përpjekja e fundit në këtë drejtim, pavarësisht nga kush u hodh, të futet në sirtar. Shpresojmë që përfundimisht të jetë pjesë e një dosje të së kaluarës”, tha ai, njofton KP.

Krahas kësaj, diplomati gjerman tha se BE-ja duhet t’i qëndrojë premtimit për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është shumë i qartë. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe të cilat duhet të jepen. Kjo nuk është vetëm çështje e përmbushjeve të kritereve, por edhe asaj që BE t’i përmbahen premtimit që e ka dhënë. Ne gjatë Presidencës sonë e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës gjatë presidencës sonë në BE. Ne do të angazhohemi që liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejtë për Kosovën”, tha ai.

Lexo po ashtu Maas: Gjermania do të angazhohet që sa më shpejt të bëhet liberalizimi i vizave për kosovarët

Ndërkohë, premtoi mbështetje në sigurimin e vaksinave edhe pas sigurimit të rreth 100 mijë vaksinave në javët e ardhshme.

“Kontingjentit të platformës COVAX në javën e ardhshme do t’iu shtohen edhe 100 mijë doza të tjera. Ky është vetëm hapi i parë dhe e di që nuk do të mjaftojë, por ne llogarisim në atë që vaksinat në javën e ardhshme do të shtohen nga kompanitë farmaceutike dhe kjo nuk do të jetë fjala e fundit. Mirëpo, ne do t’iu mbështesim juve edhe më tej në mënyrë që ju ta vaksinoni popullsinë tuaj”, tha ai.

Maas gjithashtu tha se do t’i mbështesin reformat në sundimin e ligjit të parapara nga Qeveria Kurti./Telegrafi.

Exit mobile version