Site icon Telegrafi

“Ma kanë marrë shpinë banka”, i dëmtuari thotë se ka pësuar shumë nga i akuzuari për fajde

Në seancën e të martës në Gjykatën e Apelit në rigjykimin ndaj të akuzuarit për fajde Artan Gjocaj, i dëmtuari Rifat Jasiq tha se ka pësuar shumë nga ky rast, pasi banka ia ka marrë shtëpinë për fajin e të akuzuarit.

“Këtu është kah sillet diçka tjetër. Ma kanë marrë shpinë banka, për punë të qetij (drejtohet nga i akuzuari)”, ka thënë Jasiq.

Këtë rast, Gjykata Supreme më 1 shkurt 2024 e ka kthyer në rigjykim në Gjykatën e Apelit, duke aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të akuzuarit Gjocaj, avokatëve Avdi Dinaj dhe Gëzim Kollçaku.

Në seancën e mbajtur në Apel, mbrojtësja e të dëmtuarit Rifat Jasiq, avokatja Xhevahire Kloopner, tha se nuk e kanë pranuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, që është bërë në Gjykatën Supreme, nga mbrojtësit e të akuzuarit.

Sipas saj, Gjykata Themelore ka bërë shkelje në mënyrë të vazhdueshme dhe se në këtë lëndë ka ndikim.

“Janë shkelë të drejtat e njeriut dhe ligji i Kosovës. Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Supreme, vetëm për atë pjesë, unë kërkoj nga Gjykata e Apelit edhe pse janë ba shkelje të vazhdueshme, të marrë vendim objektiv dhe vendim të qartë, për arsye se vendimi nuk është ekzekutu, pasi që vendimi i Gjykatës së Apelit ka qenë i paqartë”, tha Kloopner.

Avokatja Kloopner tha që ekzistojnë prova të mjaftueshme, andaj kërkoi që të merret vendim i drejtë. Fjalën e mbrojtëses së tij e ka përkrahur edhe i dëmtuari Rifat Jasiq.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Gjocaj, avokati Gëzim Kollçaku ka prezantuar dhe komentuar disa prova materiale, të cilat sipas tij shkalla e parë i ka interpretuar gabimisht.

“Në aktgjykimin e shkallës së parë thuhet se me ekspertizë është vërtetu nënshkrimi i të mbrojturit tim. Unë kam shkruar aty se Gjykata e ka keqinterpretuar këtë ekspertizë për arsye se në këtë ekspertizë ekzistojnë dy pasuese. Gjykata e ka marrë vetëm pasuesin e parë, i cili thotë se provat 3 dhe 4, janë të shkruara nga i njëjti person. Kurrë s’i kemi kontestu këto prova, mirëpo gjykata fare nuk është marrë me pasuesin e dytë, i cili thotë se në bazë të rezultateve të ekspertimit konstatoi se dorëshkrimi i nënshkrimit të dokumentit në dëshminë (prova nr.5), ku janë 13-14 nënshkrime, e pala e dëmtuar ka konstatu se janë nënshkrimet e tij. Me këtë ekspertizë thotë se, nuk janë të shkruara nga i njëjti person.”, tha avokati Kollçaku.

Ai tha se vazhdimisht ka thënë se Gjykata e ka keqinterpretuar, për shkak se thuajse nuk ka ekzistuar fare ky pasues, e është pikërisht ky që e liron tërësisht prej përgjegjësisë.

Gjithashtu, mbrojtësi tjetër i të akuzuarit Gjocaj, avokati Avdi Dinaj ka thënë që në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Supreme, në pasuesin e fundit, thuhet se aktgjykimet e të dy instancave janë të përfshira me shkelje esenciale, atëhërë për çfarë arsye është anuluar vetëm njëri aktgjykim.

Në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Pejë, më 17 maj 2019, në mungesë të provave, Gjocajn e kishte liruar nga akuza për fajde.

Por, Gjykata e Apelit më 9 shtator 2019, e ka konsideruar si të paqartë dhe në shkelje të dispozitave të procedurës penale aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i akuzuari dhe anuloi aktgjykimin e Themelores.

Në gjykimin e dytë, Gjocaj më 23 mars 2023 ishte shpallur fajtor për fajde nga Gjykata Themelore në Pejë, duke u dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, si dhe ishte obliguar për kthimin e parave të marra me kamatë në shumën prej 24 mijë e 700 euro.

Kurse, më 31 tetor 2023, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit Gjocaj, vetëm sa i përket konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e mjeteve të konfiskuara prej 11 mijë e 700 euro duhej t’i kthehet të dëmtuarit Rifat Jasiqi, kurse pjesa e mbetur e kërkesës pasurore-juridike prej 13 mijë e 700 euro t’i paguhet nga i akuzuari Gjocaj.

Kurse, Gjykata Supreme më 1 shkurt 2024 ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtjes së të dënuarit për fajde Artan Gjocaj, duke anuluar vendimin e shkallës së dytë dhe e ktheu rastin në rigjykim në Apel.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e deri më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që pastaj me kredi tjetër t’ia kthejë huanë të akuzuarit. Kurse, i pandehuri thuhet se pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1 mijë e 900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro, raporton betimiperdrejtesi.

Exit mobile version