Telegrafi

Lyoni mposht Arsenalin dhe fiton Kupën Emirates

Lyoni ka arritur të mposht me rikthim Arsenalin në ndeshjen e vlefshme për Emirates Cup, duke e ngritur në fund këtë trofe.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të madh të londinezëve, të cilët përveç shumë rasteve të krijuara arritën të shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në 45 minutat e parë erdhi në minutën e 41-të dhe ishte Pierre-Emerick Aubameyang, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Henrikh Mkhitaryan.

Në pjesën e dytë u zhvillua futboll më i barabartë, por ishin mysafirët që u treguan më konkret duke shënuar dy gola.

Luhej minuta e 67-të e ndeshjes kur në skenë doli Moussa Dembele, i cili barazoi rezultatin në 1-1 pas asistimit të Memphis Depay.

Arsenali arriti ta rikthej epërsinë me anë të transferimit të ri Martinelli (74′), por goli u anulua shkaku i pozitës jashtë loje.

Në aksionin pasues ishin francezët që sulmuan dhe gjetën golin përsëri me anë të Dembeles (75′), i cili vulosi rezultatin përfundimtar 2-1.

Te Arsenali debutoi edhe transferimi i ri Dani Ceballos, i cili u inkuadrua në minutën e 70-të, ndërsa shqiptari Granit Xhaka ishte kapiten dhe luajti për 90 minuta. /Telegrafi/