Mimoza Kusari-Lila është ushtruesja e detyrës së Kryesuesit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kështu ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.
“Në mbledhjen e grupit parlamentar të mbajtur sot, nga deputetët tanë ajo u votua për ta ushtruar këtë detyrë deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Nga 51 deputetë të pranishëm, me 45 vota PËR, 2 vota KUNDËR, 3 vota ABSTENTIM dhe 1 e zbrazët, znj Kusari-Lila u votua për drejtimin e grupit parlamentar”, thuhet në njoftim.
Sipas Statutit të Lëvizjes Vetëvendosje, Shefi i Grupit Parlamentar votohet nga anëtarët e grupit parlamentar dhe zgjedhet nga Këshilli i Përgjithshëm.
LVV ka vlerësuar performancën e Kusari-Lilës në legjislaturën e kaluar.
“Mimoza Kusari-Lila është deputetja që sidomos në legjislaturën e fundit ka treguar përkushtim dhe përgjegjësi të lartë në adresimin e çështjeve të rëndësishme për ne dhe për vendin. Asaj i urojmë sukses në detyrën dhe përgjegjësin e saj të re”, thuhet më tej në njoftimin e LVV-së.
Mimoza Kusari-Lila është drejtuese e subjektit politik Alternativa, por që e njëjta për të dytën herë me radhë është zgjedhur deputete nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kujtojmë, deri më tani është zyrtarizuar se Arben Gashi do të vazhdojë edhe në këtë legjislaturë të jetë shef e Grupit Parlamentar të LDK-së./Telegrafi/