Këshilltari ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka komentuar aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për votimin e Qeverisë Hoti, në të cilin gjithashtu sqarohet çështja më e diskutuar, ndalesa e kandidimit për deputet për ata që janë dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit.
Sallahu ka thënë se në aktgjykimin është bërë kufizimi i kandidatëve për të garuar në zgjedhjet e ardhshme, por që kjo sipas tij, nuk vlen për Albin Kurtin dhe kandidatët që kanë pasur dënime alternative, transmeton Telegrafi.
“Nga ana tjetër, kur ndodh, kufizimi për të mos kandiduar do të duhet të jetë “kufizim i pandërprerë” për aq sa janë afatet ligjore e kushtetuese. Përndryshe çdo veprim tjetër nga autoritetet përkatëse, do të ishte në kundërshtim me parimin e drejtës së fituar, i cili është parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare publike dhe i rrënjosur si element i sundimit të ligjit brenda përmbajtjes së rendit kushtetues të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.
Të vepruarit ndryshe do të ishte në kundërshtim flagrant me nenin 7, 33 dhe 45 të Kushtetutës së Kosovës si dhe me konventat dhe aktet ndërkombëtare përkatëse. Andaj rasti i tillë nuk mund të vlejë për kandidatët që kanë pasur vendime për dënime alternative”, ka shkruar ai në Facebook.
Për më shumë, postimi i plotë:
“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kontestuar vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë me pretendimin se Qeveria ishte antikushtetuese, e paligjshme që nuk ishte votuar me 61 vota siç parashihet me Kushtetutë.
Sot, Gjykata Kushtetuese publikoi Aktgjykimin e plotë duke vërtetuar plotësisht pretendimet tona për antikushtetutshmërinë e zgjedhjes se kinse-qeverisë Hoti. Kësisoj po shkojmë drejtë zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen në afatin e përcaktuar kushtetues, pasi ushtruesja e detyrës të marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në përmbajtje shpreh rrethanat e rastit konkret te humbjes se mandatit për të dënuarin me burg, z.Arifi. Pra për shkak se i njëjti ishte dënuar më burgim efektiv sipas një dënimi të formës së prerë.
Devijimi i krejt përmbajtjes së këtij Aktgjykimi të zyrtarizuar sot tek një element që nuk ka qenë objekt as i kërkesës sonë e as Gjykatës Kushtetuese nuk është gjë tjetër veçse dashakeqësi.
Këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtesese nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast.
Në lidhje me këtë, kandidatët e tjerë që janë dënuar me dënim me kusht në vitin 2018 janë lejuar të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare. Në atë kohë kufizimi nuk ka ndodhur për shkaqe që tashmë dihen e që janë në përputhje me ligjet në fuqi.
Nga ana tjetër, kur ndodh, kufizimi për të mos kandiduar do të duhet të jetë “kufizim i pandërprerë” për aq sa janë afatet ligjore e kushtetuese. Përndryshe çdo veprim tjetër nga autoritetet përkatëse, do të ishte në kundërshtim me parimin e drejtës së fituar, i cili është parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare publike dhe i rrënjosur si element i sundimit të ligjit brenda përmbajtjes së rendit kushtetues të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.
Të vepruarit ndryshe do të ishte në kundërshtim flagrant me nenin 7, 33 dhe 45 të Kushtetutës së Kosovës si dhe me konventat dhe aktet ndërkombëtare përkatëse. Andaj rasti i tillë nuk mund të vlejë për kandidatët që kanë pasur vendime për dënime alternative”./Telegrafi/