Site icon Telegrafi

LVV me shumicë votash miraton koalicionin me LDK-në

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura sot sipas parimit “një anëtar-një votë”, baza e Lëvizjes Vetëvendosje! votoi me demokraci direkte për koalicionin e kësaj partie me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me 95.99 për qind pro dhe 3.64 për qind kundër, derisa votime të pavlefshme janë 0.37 për qind.

Ky rezultat dëshmon për vullnetin e madh e të palëkundur drejt ndryshimeve të domosdoshme në qeverisjen e vendit, në përputhje me besimin e dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit, thuhet në njoftimin e Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas një formulari që është shpërndarë në rrjetet sociale, ishte bërë pyetje “A do pajtoheni për lidhjen e koalicionit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, me opsionet PËR dhe KUNDËR.

Ndryshe, marrëveshja për bashkëqeverisje është nënshkruar nga liderët e LVV-së dhe LDK-së, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, pas bisedimeve të gjata dhe qëndrimeve të forta të dy subjekteve politike në ndarjen e posteve udhëheqëse.

Kjo qeveri do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra, ndërkaq Glauk Konjufca nga posti i kryetarit të Kuvendit do të marr post qeveritar/Telegrafi/

Exit mobile version