Site icon Telegrafi

LVV i reagon LDK-së: Ankesat në PZAP mbi skemën e manipulimit me votë, s’është asgjë tjetër pos ushtrim i një të drejte ligjore

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur ankesën e LVV-së në PZAP si presion.

Arlind Manxhuka, zëdhënës i LVV-së, ka thënë se “reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës duke e quajtur presion ankesën tonë në PZAP është absurd i llojit të vet””.

“Ankesa e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në PZAP mbi skemën e manipulimit me votë përmes postës s’është asgjë tjetër pos ushtrim i një të drejte ligjore që është paraparë me ligjet dhe rregullat e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ka të vetmin qëllim ruajtjen dhe moscenimin e vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Tutje në reagimin e tyre thuhet duhet respektuar vullneti i shprehur nga qytetarët.

Pikërisht që nga denoncimet e para e deri te ankesa jonë e djeshme në PZAP kjo ka qenë kërkesa bosht rreth të cilës kemi argumentuar. E gjithë kërkesa e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është evidentimi dhe anulimi i skemës së organizuar nga qarqe brenda LDK-së me qëllim manipulimin dhe deformimin e vullnetit qytetar”, ka pohuar ai.

Lexo po ashtu LDK: Presionet e LVV-së për të ndikuar në vendimmarrjen dhe për të manipuluar rezultatet zgjedhore duhet të marrin fund

Tutje, ai ka shtuar se “reagimi i LDK-së që i drejtohet LVV-së, në fakt i shkon edhe zyrtarëve e kandidatëve të vet LDK-së të cilët tashmë hapur kanë folur për këtë skemë manipulimi edhe brenda vet subjektit të tyre”.

“Ankesa e LDK-së mbi ankesën legjitime të LVV-së në të vërtetë paraqet presion. Ky është presion direkt mbi vet PZAP dhe për të ndikuar në vendim e këtij institucioni që në fakt do të nxjerrte një të vërtetë të vetme: skemën e hajnisë së vullnetit qytetarë duke dëmtuar kështu edhe subjektet e tjera, por edhe duke ndryshuar vet përbërjen e grupit parlamentar të LDK-së”, theksoi ai.

Mes tjerash, Manxhuka ka pohuar se “Republika e Kosovës duhet të vazhdojë të ecë përpara me standarde të larta për të cilat njihet tashmë: garantimi i zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike, duke respektuar pa kompromis vullnetin e të gjithë qytetarëve të saj”.

Ndryshe, sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër siç thonë çdo formë të presionit të ushtruar ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e konsideruar këtë si një ndërhyrje të papranueshme dhe të rrezikshme në një proces që duhet të mbetet tërësisht i pavarur dhe i paanshëm.

LDK në një reagim për media thekson se pret që normat demokratike dhe vullneti i qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë të respektohen plotësisht dhe pa asnjë kusht./Telegrafi/

Exit mobile version