Lëvizja Vetëvendosje, përmes një reagimi publik ka thënë asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial e funksional të Kosovës nuk do të mund të implementohet dhe se nuk mund të ketë dialog nga Qeveria siç e kanë quajtur ata, ilegale Hoti.
Këtë reagim LVV e ka bërë pas deklaratës së Richard Grenell, i cili ka thënë se qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Telegrafi.
“Pas sajimit të qeverisë së paligjshme, deklarata e parë e presidentit Thaçi ishte se duhet të largohen të gjitha pengesat karshi dialogut, dhe ashtu ndodhi: qeveria koti largoi masën e reciprocitetin ndaj Serbisë, duke e zhveshur tërësisht Republikën e Kosovës nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror. Ndërkaq sot emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, na njoftoi për vendimin e radhës së kësaj qeverie: që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Qeveria Koti e Hashim Thaçit tashmë është në të njëjtën linjë me përpjekjen e Serbisë, me zotimin e kryeminsistrit Koti dhe Hashim Thaçit, se Kosova nuk është e barabartë me Serbinë dhe se Kosova nuk do të angazhohet për subjektivitet ndërkombëtar. Ky është pozicioni me të cilin këta shkojnë në dialog me Serbinë. Ky vendim erdhi pak orë pas takimit Hoti-Thaçi”, thuhet në reagimin e LVV-së.
LVV pohon se Qeveria Kurti i ka penguar pazaret mbi hartën e Kosovës.
“Sot më shumë se kurrë kuptohet përpjekja e gjithë këtij Klubi të Stërvjetëruar Politik për ta larguar qeverisjen që filloi të sillet si shtet normal në arenën ndërkombëtare e të forcojë sovranitetin për së brendshmi. Qeveria Kurti i ka penguar pazaret me thika mbi harta që po i kanoseshin Republikës së Kosovës. Për tandemin Thaçi-Vuçiq ishte e nevojshme një qeverisje pa legjitimitet popullor, e diskredituar, marionetë, e cila ndjek aventurën e tyre të nisur tash e disa vite”.
Lëvizja Vetëevendosje “thekson se asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial e funksional të Republikës së Kosovës nuk do të mund të implementohet në vendin tonë dhe se nuk mund të ketë dialog nga një qeveri ilegale dhe ilegjitime që është në diskeprancë totale me vullnetin e popullit. Konjukturat e kapura nuk mund të dëmtojnë vullnetin e shumicës”.
“Lojërat me copëtime krijojnë parakushtet për destabilizim të rajonit, e vënë në rrezik një numër të madh njerëzish”.
Ndryshe, i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/