Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka propozuar një rezolutë në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Dokumentin e kësaj rezolute e ka postuar përmes rrjetit social në Facebook, deputetja e LVV-së Fatmire Mulhaxha Kollçaku.
Në këtë rezolutë kërkohen të miratohen nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, katër pika të cilat janë:
- Të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar “Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës”.
- Për pacientët, të infektuarit me simptoma të lehta, të dyshuarit për infeksion dhe familjarët e tyre gjatë periudhës së vetizolimit, institucionet shtetërore të marrin përsipër mbrojtjen dhe kompensimin e nevojave të tyre elementare – shëndetësore dhe sociale.
- Të merren masat urgjente për trajnimin, edukimin, mbrojtjen dhe mbështetjen e personelit shëndetësor, përfshirë rekrutimin e stafit shtesë në të gjitha nivelet në raport me rekomandimet nga IKSHP, OBSh dhe ECDC.
- Të gjitha institucionet të marrin të gjitha masat për informim korrekt dhe në kohë reale mbi të vërtetën e gjendjes aktuale epidemiologjike – për seriozitetin dhe pasojat e pandemisë. /Telegrafi/