Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar marshin e organizuar nga shoqëria civile kundër projekt-ligjit për financimin e partive politike.
LVV përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ka shkruar se përkrahë kërkesat e drejta të shoqërisë civile dhe kërkojn që në çdo ndryshim përbrenda projektligjeve për subjektet politike të kërkohet më shumë transparencë, rritje të demokracisë dhe llogaridhënie karshi qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse.
Vetëvendosje po ashtu ka thënë se dënojnë rëndë sulmin fizik dhe kërcënimin që ju bë aktivistëve të shoqërisë civile nga zyrtarë të PDK-së në selinë qendrore të kësaj partie politike, duke kërkuar që ky gjest antidemokratik dhe kriminal të dënohet edhe nga organet e drejtësisë.
“Sot, mirëpritëm marshin “Refuzoj” të organizuar nga dhjetra organizata të shoqërisë civile të ndaluan edhe para zyrave tona, në kuadër të marshit të tyre protestues pranë secilës seli të subjekteve politike në kundërshtim të projektligjit për financimin e subjekteve politike.
Lëvizja VETËVENDOSJE! kohë më parë pati deklaruar qëndrimin në lidhje me këtë projektligj duke theksuar se është pro rritjes së transparencës dhe llogaridhënies nga subjektet politike, por është absolutisht kundër neneve që janë antikushtetuese dhe shkelin vullnetin e votuesit siç është rasti me nenin 6 që ka të bëjë me financimin e subjekteve politike.
Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrahë kërkesat e drejta të shoqërisë civile dhe kërkojmë që në çdo ndryshim përbrenda projektligjeve për subjektet politike të kërkohet më shumë transparencë, rritje të demokracisë dhe llogaridhënie karshi qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse.
Gjithashtu, ne dënojmë rëndë sulmin fizik dhe kërcënimin që ju bë aktivistëve të shoqërisë civile nga zyrtarë të PDK-së në selinë qendrore të kësaj partie politike. Ne kërkojmë që ky gjest antidemokratik dhe kriminal të dënohet edhe nga organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje./Telegrafi/