Telegrafi

“LVV mund ta imponojë një datë krejt tjetër”, Hoxha: Opozita propozoi 26 janarin për zgjedhje – është data më e disfavorshme për qeverinë

Analisti politik Ylli Hoxha ka shprehur mendimin e tij mbi propozimin e tri partive opozitare për të caktuar 26 janarin si datën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas Hoxhës, ky propozim është një lëvizje strategjike dhe logjike nga ana e opozitës, pasi janari është muaji më i gjatë dhe më i vështirë financiarisht për qytetarët.

“Është fundi i muajit më të gjatë në botë, pra janari, do të thotë njerëzit janë më të shpenzuar dhe është një periudhë më depresive e shoqërisë”, ka deklaruar Hoxha në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.

Ai ka shtuar se kjo periudhë është gjithashtu e shënuar nga rritja e llogarive që duhet të paguhen.

Sipas tij, kjo bën që data e propozuar të jetë më e disfavorshme për qeverinë.

Hoxha gjithashtu sugjeroi se Lëvizja Vetëvendosje (VV) mund të kërkojë një datë tjetër brenda shkurtit, duke krijuar një debat të ri që vendimi t’i mbetet presidentes Vjosa Osmani.

“VV-ja mund ta imponojë një datë krejt tjetër përmes dorëheqjes”, ka shtuar Hoxha. /Telegrafi/