Site icon Telegrafi

LVV kërkon unitet nga subjektet politike shqiptare për kandidatin në Artanë, merr përkrahje nga PDK

Foto: Ilustrim

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Artanë, Abdyl Gashi, ka thënë se ka takuar gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në Artanë për t’u bashkuar rreth kauzës për të mposhtur Listën Serbe, e cila drejton këtë komunë.

Gashi ka thënë se uniteti i subjekteve politike shqiptare është shumë i nevojshëm, transmeton Telegrafi.

“Të nderuar qytetarë te Komunës së Artanës Lëvizja VETËVENDOSJE! në Artanë duke u bazuar në specifikat e Komunës së Artanës, ku në qeverisje lokale kemi Listën Serbe. Ne si Lëvizje kemi vlerësuar që një unitet i subjekteve politike shqiptare është shumë i nevojshëm.

Si Kryetar i Qendrës së Lëvizjes në Artanë kam takuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në Artanë për t’u përbashkuar rreth kësaj kauze”, ka njoftuar ai.

Gashi ka thënë se LVV ka propozuar që të mbështet një kandidat për kryetar nga shoqëria civile, dhe se deri tani mbështetje nga gjetur vetëm nga PDK.

“Në këto takime Lëvizja VETËVENDOSJE! ka propozuar që të mbështetet një kandidat për Kryetar apo kryetare të Komunës nga shoqëria civile. Deri tani nuk kemi gjetur mbështetje nga subjekte të tjera në përjashtim të Partisë Demokratike të Kosovës.

Kur ka mbetur edhe pak kohë që një iniciativë e tillë të bëhet e mundur, ftoj subjektet shqiptare që të jenë më racionale dhe më të ndërgjegjshme dhe të përbashkohen rreth kësaj iniciative prej të cilës fitojnë të gjithë, fiton Artana”, thotë mes tjerash ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. /Telegrafi/

Exit mobile version