Site icon Telegrafi

LVV kërkon të anulohet tenderi 16.5 milionë euro, akuzon Komunën e Prishtinës për dërgimin e “Pastrimit” në falimentim

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë ka akuzuar Komunën e Prishtinës se është duke dërguar drejt falimentimit ndërmarrjen publike “Pastrimi”.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besart Krasniqi në një konferencë për media ka bërë të ditur se rreth mbi 900 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë, si shkak i një thirrje për një kontratë kornizë 3 vjeçare në vlerë prej 16.5 milionë euro.

“Siç jeni njoftuar se këto ditë është hapur një thirrje për një kontratë kornizë, 3 vjeçare, nga Komuna e Prishtinës, me vlerë 16.5 milionë euro, e që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave. Në besojmë se kjo kontratë është hapi i fundit drejt falimentimit të ndërmarrjes Pastrimit dhe rrjedhimisht mbetjen e pa punë të mbi 900 punëtorëve”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se hapja e kësaj thirrje publike nga Komuna e Prishtinës, dhe mundësia që mbledhja e mbeturinave të bëhet nga operator privat, neve na dëshmojnë që i gjithë procesi i ngufatjes së Prishtinës nga bërlloku, gjatë 3 viteve të kaluara, është bërë qëllimshëm nga ekzekutivi komunal.

“Kjo është bërë në mënyrë që pastaj të ndryshohet rregullorja për menaxhimin e mbeturinave, të futet një nen që lejon futjen në treg të operatorëve privatë, dhe tani hapi i fundit, tenderi i madh 16.5 milionë – ku tregun e marrin privatët, kurse ‘Pastrimi’ në mungesë të të hyrave bankroton dhe 900 familjeve ju rrezikohet mirëqenia”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se tenderi prej 16.5 milionë euro, është “produkt i filluar nga qeverisja LDK-PDK dhe tash i vazhduar e gati i realizuar nga LDK-ja me në krye Përparim Ramën”. Krasniqi ka thënë se si rezultat i këtij veprimi, po rrezikohet një grant me vlerë prej 70 milionë euro.

“Duhet potencuar se ndryshimi i Rregullores dhe mundësimi që edhe operatorët privat të jenë pjesë e sistemit për menaxhimin e mbeturinave ka ndodhur gjatë qeverisjes së përbashkët LDK-PDK. Ne, si Vetëvendosje edhe atëherë kemi qenë kundër këtij propozimi sepse kemi qenë të vetëdijshëm për rrezikun për bankrotim të ndërmarrjes Pastrimi”, ka thënë asamblisti i LVV-së.

Ai ka bërë thirrje të anulohet tenderi me vlerë 16.5 milionë euro, të krijohet një plan afatshkurtër për rritjen emergjente të kapaciteteve teknike dhe menaxheriake të “Pastrimit” dhe të krijohet një masterplan për rivitalizimin dhe fuqizimin e ndërmarrjes dhe një sistem efikas të menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet. /Telegrafi/

Exit mobile version