Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se është e para në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se në raport me zgjedhjet e kaluara lokale, e kemi dyfishuar votën për Lëvizjen në nivel vendi.
“Zyrtarisht me 216 mijë e 556 vota Lëvizja VETËVENDOSJE! u shpall fituesja e këtyre zgjedhjeve lokale. Falënderojmë secilin votues, nga fshatrat e qytetet tona, dhe diasporën tonë të dashur”, thuhet në njoftim.
Tutje sipas LVV-së, në këto zgjedhje është dyfishuar numri i asamblistëve në kuvendet komunale.
“Me kandidatët tanë jemi në garë për t’i fituar 12 komuna. Mbeten vetëm 15 ditë deri në rrethin e dytë zgjedhor, dhe duhet të angazhohemi në maksimum që ta rrisim mbështetjen për Lëvizjen. Fitorja e Lëvizjes në komuna do të thotë shërbim për qytetarët, transparencë, përkujdesje, zhvillim e drejtësi”.
“Prandaj këto ditë të lëvizim e të punojmë së bashku, me mbështetësit, vullnetarët, e gjithë qytetarët, sepse bashkë jemi fitimtarë”.
“Ta vendosim modelin e qeverisjes Kurti edhe në këto 12 komuna, dhe ta kthejmë pushtetin lokal kah e mbara”, thuhet në fund.
Edhe LDK-ja të mërkurën tha se është partia e parë me 170 mijë e 177 vota derisa kryetari Lumir Abdixhiku e quajti këtë rikthim të partisë së tij.
Abdixhiku ka thënë se rikthimi si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin prej tyre, andaj ka kërkuar që të vazhdojë puna për raundin e dytë./Telegrafi/