Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë ka reaguar pasi Fatmir Hasani, anëtar i LVV-së ka lidhur marrëveshje me kandidatin LDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Armend Agollin, që të bashkëpunojnë për zgjedhjet e 17 tetorit.
Në këtë reagim thuhet se koalicionet parazgjedhore siç shprehen ata “të partive të dyta e të treta me partitë tjera të vogla e me individë të dorës së dytë në Mitrovicë”, sipas tyre dëshmojnë se humbësit bëhen bashkë.
“Koalicionet parazgjedhore të partive të dyta e të treta me partitë tjera të vogla e me individë të dorës së dytë në Mitrovicë, e dëshmojnë qartë edhe një herë se humbësit po bëhen bashkë, por e tëra që do të arrijnë, do të jetë prapë një rezultat dëshpërues ngase Mitrovica i ka besuar programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit me mbi 20 mijë vota, e njëjtë do të ndodh edhe në zgjedhjet lokale me 17 tetor”, thuhet në reagim.
Tutje theksohet se Mitrovica është rreshtuar krahë Lëvizjes për të synuar zhvillimin e asesi nuk do të kthehet para vitit 2013, në kohën e krimit të organizuar.
Ndryshe, Fatmir Hasani, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka lidhur marrëveshje me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)së për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Armend Agollin, që të bashkëpunojnë për zgjedhjet e 17 tetorit.
Kjo u bë e ditur të martën gjatë një konference për media të LDK-së dega në Mitrovicë.
Hasani ka shprehur pakënaqësi të mëdha ndaj kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, për të cilin tha se gjatë garës së brendshme të VV-së, ka kërcënuar, shantazhuar e manipuluar.
Sipas tij, subjekti me të cilin garon ai, do të fitojë në zgjedhjet e 17 tetorit pa balotazh. /Telegrafi/