Lëvizja Vetëvendosje, ka njoftuar se ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për peticione.
LVV përmes një njoftimi publik ka thënë se “Vullneti kolektiv dhe kërkesat e qytetarëve të shprehura përmes peticionit janë një e drejtë politike dhe kushtetuese që i japin kuptim demokracisë dhe e mbrojnë atë nga shpërdoruesit dhe mohuesit e saj”.
“Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është element esencial për demokracitë kudo dhe sidomos në Kosovë. Projektligji i proceduar nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përcakton ligjërisht për herë të parë në Kosovë rolin dhe rëndësinë e peticioneve, mënyrën, përmbajtjen dhe efektet e tyre”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
LVV thotë se një ligj i tillë i ka munguar Kosovës.
“Në një kohë kur vullneti i shprehur edhe përmes zgjedhjeve zhvleftësohet, kur demokracia përkeqësohet, kur hendeku midis institucioneve dhe qytetarëve thellohet, bëhet edhe më i domosdoshëm krijimi i mundësive ligjore për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre dhe që të bëhen pjesë e marrjes së vendimeve në jetën politike e institucionale”./Telegrafi/