Site icon Telegrafi

LVV akuzon partitë qeverisëse në Prishtinë: U shkuan në shtëpi asamblistëve, u ofruan para

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi shumica e asamblistëve shkarkuan të martën kryesuesin e Kuvendit Komunal, Fehmi Kupinën.

LVV ditën e martë e ka quajtur “Ditë Pazari” në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Partia opozitare në Prishtinë, thotë se ndonëse kanë kaluar tri javë që nga shkarkimet në ndërmarrjet publike, kryetari Rama nuk e ka lejuar stafin që t’i publikoj vendimet, e që sipas tyre ai ka shkelur në mënyrë flagrante Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

“Sot, në seancën e Kuvendit Komunal, pas debateve të shumta dhe kërkesës së vetme të opozitës që nuk duhet të mbahet asnjë seancë pa publikimin e këtyre vendimeve, sepse Kryetari nuk është organi që të vendosë se cili vendim mund të publikohet apo jo, Kryesuesi i Kuvendit, pasi që konstatoi se nuk ka kushte të punës e mbylli seancën”, thuhet në reagimin e LVV-së.

“Në dy pjesë ndahet lufta e egër e pushtetit ndaj opozitës në muajin qershor. Fillimisht, me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, me 4 qershor, e deri në ditën e seancës, pra me 8, Kryetari i Komunës, Nënkryetarët bashkë me drejtorët e Asamblistët e LDK e PDK filluan me presione e shantazhe ndaj asamblistëve të Opozitës”.

Lexo po ashtu Pas shkarkimit të Kupinës, pozita në Prishtinë kthen ndërmarrjet publike

LVV, qendra në Prishtinë akuzon dy partitë qeverisëse në kryeqytet, LDK e PDK se me shantazhe e oferta joshëse kanë blerë asamblistët opozitarë për të votuar shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.

“Shumë zyrtarë të strukturave të larta të LDK e PDK janë angazhuar gjatë këtyre ditëve për të blerë asamblistë të partive opozitare. Nuk kanë kursyer asnjë mjet. Shumë asamblistë janë ankuar se zyrtarë të këtyre dy partive u kanë shkuar në shtëpi edhe në mesnatë, duke iu bërë presion e duke iu bërë oferta me shuma marramendëse”.

LVV e Prishtinës, kërkon nga Ministria e Pushtetit Lokal që të marrë masa për të anuluar votimin e fundit.

“Të gjitha veprimet pas vendimit për mbylljen e seancës nga Kryesuesi, janë bërë në mënyrë klandestine, tërësisht të paligjshme, në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi. Prandaj, presim nga organi mbikqyrës i Kuvendit Komunal, MAPL, të marrë masa të menjëhershme duke e anuluar këtë maskaradë”, thuhet tutje në njoftim./Telegrafi/

Exit mobile version